AlbanianSport.com 10.09.2015 22:50
ASNN – “Shqipëria në prag të sigurimit të vendit në fazën finale të një Evropiani për herë të parë në histori”. Ky ka qenë lajtmotivi i shkrimit që rrjeti prestigjioz ndërkombëtar i transmetimeve sportive “ESPN”, i ka kushtuar ecurisë mbresëlënëse të kuqezinjve të drejtuar nga trajneri Xhovani De Biazi, ku Shqipëria cilësohet si favorite për kualifikim, përkrah Hungarisë dhe Irlandës së Veriut.
Rrjeti prestigjioz ndërkombëtar i transmetimeve sportive, “ESPN” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe ecurisë mbresëlënëse të Kombëtares shqiptare në Eliminatoret e Evropianit 2016. Në shkrimin e titulluar “Shqipëria, Hungaria dhe Irlanda e Veriut, në prag të vendit në “Euro 2016”, shkruhet se “humbja dramatike në sekondat shtesë me Portugalinë shkaktoi një zhgënjim të madh për Shqipërinë”.
Por sipas analizës, situata ka ndryshuar për më mirë. “Shqipëria është përballë skenarit më të mirë, duke e ditur se kanë dy ndeshje për të zhvilluar, ndërsa Danimarka e vendit të dytë, me një pikë më tepër në renditje i mbyll Eliminatoret në Portugali. Kualifikimi i parë në një eveniment madhor ka ndryshuar nga “i mundshëm” në “dukshëm i mundshëm”.
Në analizën e saj, “ESPN” theksonte se me një fitore më 8 tetor kundër Serbisë dhe paralelisht humbjen ose barazimin e Danimarkës në Bragë, festa e Shqipërisë do të ishte e dyfishtë: kualifikim në fazën e grupeve të Euro 2016 dhe turpërim i serbëve. Rrjeti prestigjoz rikujtonte ecurinë e Kombëtares kuqezi, nga suksesi në Aveiro, e deri në marrjen e 3 pikëve në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, pas skandalit të dhunës dhe racizimit në Beograd.
Kualifikimi i Shqipërisë si e dyta në Grupin I do të përgënjeshtronte skeptikët, që besonin se zgjerimi i Evropianit me 24 ekipe do të ulte cilësinë. Sido të ishte, edhe në turneun me 16 skuadra dy ekipet e para do të shkonin në fazën finale.” Në fund “ESPN” theksonte se fitorja në Portugali dhe dy barazimet përballë Danimarkës nuk janë vetëm çështje fati, por konfirmim i rritjes së Kombëtares shqiptare drejt një arritje që deri më tani dukej një mundësi e largët.