AlbanianSport.com 10.09.2015 21:20
ASNN – Çështja e deklaratave të bëra nga Drejtorja e Marrëdhënieve me Publikun, Jona Dervishi, përsa i përket asaj nëse ishte Kombëtarja kuqezi ajo që i dha famën De Biazit, apo e kundërta, ka nisur reagimi i njohësve të shquar të futbollit, të cilët i quajnë “të papjekura” deklaratat e saj dhe çmojnë aftësitë e 59-vjeçarit italian me pasaportë shqiptare.
Kështu, në deklaratën e dhënë për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, e vlerëson pozitivisht punën e trajnerit dhe të Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi. Sipas Kushtës, asnjë nuk mund ta mohojë dot punën që trajneri ka bërë. Madje ish-futbollisti i shquar është i mendimit se FSHF-ja duhet të rinovojë me italianin.
“De Biazi ka një statistikë të shkëlqyer, një punë të admirueshme, që jo një zëdhënëse 22 vjeçe, por asnjë qoftë edhe personalitet futbolli nuk e mohon dot, – ka deklaruar ish-sulmuesi i njohur i Flamurtarit dhe Kombëtares së viteve 1980-1990. – Ne duhet të jemi mirënjohës për punën e De Biazit dhe ta respektojmë çfarë ka sjellë deri tani në Kombëtaren tonë.”
“Unë e kam dhënë mendimin tim dhe e përsëris se duhet të krijohet mundësia që FSHF të rinovojë brenda me këtë trajner, – ka vijuar shënuesi i golit të famshëm të vlonjatëve ndaj Partizanit të Beogradit në humbjen 1-2. – Sigurisht, brenda mundësive financiare që ka institucioni i futbollit. Në qoftë se nuk ka mundësi ekonomike, duhet t’i thonë De Biazit: “Faleminderit, por nuk kemi aq para sa të rinovojmë!”.”
“Por jo të dalë zëdhënësja dhe të thotë për De Biazin e bëmë të famshëm ne, – vijon Kushta – Me atë që dëgjova, mendoj se është një deklaratë personale e zëdhënëses dhe ajo është shumë e vogël të gjykojë njerëz të mëdhenj.” Ndërkohë, legjenda e futbollit Sokol Kushta thekson se Kombëtarja kuqezi duhet të ketë qetësi për vazhdimësinë.
“Me Portugalinë ishte një ndeshje dinjitoze dhe se humbja erdhi për shkak të një gabimi momental. Kombëtarja duhet që të ketë qetësi për vazhdimësinë, por këto deklarata të nxituara dhe bëjnë atmosferën jonormale”, – ka përfunduar ai.