AlbanianSport.com 10.09.2015 19:05
ASNN – Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, zhvilloi sot paradreke një takim pune me Kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, dhe trajneri Driton Kuka, me të cilët bisedoi për zhvillimet e fundit në këtë federatë, programin e tyre dhe sfidat që i presin në të ardhmen.
Drejtuesit e FXHK-së e informuan ministrin Shala me vepimtaritë e deritanishme të Federatës, me programin e realizuar, si dhe për përgatitjet intensive që po bën kjo Federatë rreth pjesëmarrjes së Kosovës në garat ndërkombëtare, veçmas në Lojërat Olimpike “Rio 2016. “
Ministri Shala u shpreh se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me FXHK-në, në funksion të përmirësimit të kushteve për funksionim sa me efikas të Federatës, siç është praktika e fundit e memorandumeve, me çka janë krijuar kushte më të mira për funksionimin e federatave dhe realizimin e programeve të tyre.
Pak më vonë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti kryetarin e Federatës së Skive të Kosovës, Hajrush Demajn, të shoqëruar nga Albin Tahiri, pjesë e përfaqësueses së Kosovës në këtë sport. Sipas njoftimit të MKRS-së, Ministri Shala dhe kryetari Demaj biseduan për “Olimpiadën Dimërore 2016”.
Kjo Olimpiadë, e cila do të mbahet në Lilehamer të Norvegjisë, dhe në të pritet të marrin pjesë edhe skiatorë . Ministri Shala premtoi përkrahje dhe mbështetje për këtë veprimtari, si dhe për zhvillimin e këtij sporti në Kosovë.