AlbanianSport.com 09.09.2015 22:05
ASNN – Një episod interesant ka ndodhur përgjatë ditës së sotme dhe kjo ka të bëjë me atë që është shndërruar aktualisht në imazhin e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit. Megjithatë, duke respektuar kriteret profesionale, ne po jua sjellim këtu 3 pjesët e tij, duke ua lënë juve gjykimin.
Gjithçka ka nisur nga një shkrim i shkurtër në numrin e sotëm të së përditshmes sportive shqiptare, “Panorama Sport”:
E ftuar në emisionin sportiv “Ora Skaner”, me moderatorin Gerti Çarçani, drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit, Jona Dervishi, ka shprehur një mendim që duket se pasqyron edhe frymën e institucionit për të cilin është edhe zëri zyrtar. “Është kënaqësi që të bashkëpunosh me De Biazin, por e di se çfarë dua që të cilësoj diçka”, – ka thënë ajo.
“Me të vërtetë që ekipi ynë ka marrë emër nga De Biazi, por duhet ta kuptojmë që jemi ne që e bëmë të famshëm De Biazin.” “Kush ne?”, – ka pyetur moderatori Çarçani. “Kombëtarja jonë!”, – është përgjigjur Dervishaj. “Jeni e sigurt për këtë?”, – ka pyetur sërish, paksa i habitur, moderatori. “Patjetër”, – ka qenë përgjigjja e zyrtares së organizmit që qeveris futbollin në vend.
“Janë në marrëdhënie bilaterale që nuk bëjnë dot pa njëri -tjetrin”, ka qenë deklarata e dhënë nga ajo që supozohet të jetë zëri zyrtar i FSHF-së në prezantimin e saj nga moderatori Çarçani, i cili me pyetjet e tij është munduar të zbusë disi qëndrimin zyrtar të FSHF-së.
Fjalët e zëdhënëses nuk janë mirëpritur aspak nga shefi i saj, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili, duke folur për mediat pas takimit që pati në zyrën e tij me Ambasadorin e Serbisë në Tiranë, rreth orës 11:50, duke dribluar me finesë, iu përgjigj si vijon pyetjes së mëposhtme
– Për trajnerin De Biazi është thënë se ka marrë shumë emër nga Shqipëria… A është e vërtetë që ju ja keni dhënë pjesën më të madhe të famës?
– Këto janë komente që çojnë ujë në mullirin e tjetërkujt… Ne duhet të jemi të përqendruar vetëm tek ndeshja e futbollit. Futbolli është sport kolektiv, asnjë s’mund të bëjë vetëm. Në një skuadër, trajneri ka peshën e vet specifike, aq sa mund ta ketë. Por, edhe çdo futbollist, institucioni që e organizon dhe drejton. Futbolli është sport kolektiv.”
Ndërkohë, rreth orës 16:00 të pasdites, zëdhënësja ka reaguar ndaj raporteve që kanë përballur deklaratat e saj me ato të shefit Duka. Duke falënderuar trajnerin për punën e bërë, ajo “nuk tundet nga istikami”, teksa thotë: “E ritheksoj që në vendin tonë, famën ose emrin ja dha Kombëtarja, pikërisht si trajner i saj”. Ja postimi i plotë i saj në rrjetin social “Facebook”:
“Shoh qe me kane nxjere ne gazeta dhe portale online ndaj dua te bej nje sqarim. Gianni De Biasi eshte trajneri Kombetares sone, strategu i fitoreve dhe une kam fatin te punoj me te sepse ka ndikuar per emdrren tone drejt europianit dhe une dua ti them grazie Mister! Por eshte njesoj e vertete dhe e ritheksoj qe ne vendin tone famen ose emrin ja dha Kombetarja pikerisht si trajner i saj sepse jo gjithnje duhet vetem skema por sepse kemi lojtare te zote qe luajne si gladiatore ne realizimin e kesaj skeme! Mos me keqperdorni menyren se si jam shprehur dhe ate ckam dashur te nenkuptoj! Forca #KuqEzi”
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i vetë De Biazit mbi këto deklarata, teksa deri në orën 22:00 të mbrëmjes nuk ka patur asnjë postim të trajnerit në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”.