Adriatik Balla 09.09.2015 19:50
“Një telefonatë nga drejtori i sportit në Bashkinë e Fierit, njofton se sporti i basketbollit të femrave, do të shkrihet dhe nuk do të marrë pjesë në veprimtaritë zyrtare të FSHB-së për sezonin e ri sportiv, – thuhet në reagimin e trajnerit Astrit Greva dhe të vajzave të skuadrës që drejtoheshin prej tij. – Ishte befasuese ky komunikim kur dhjetë ditë më parë në një takim me kryetarin e Bashkisë për këtë skuadër premtoi që do të përmirësonte kushtet dhe fonde më të larta për këtë sezon, kryesisht për futbollin dhe basketbollin e femrave.”
Sigurisht që e pritëm me keqardhje, sidomos lojtaret e basketbollit, disa herë fituese të trofeve kombëtare si kampionate, kupa etj, dhe së bashku me skuadrën e Flamurtarit dhe të Tiranës i kanë dhënë tonin ecurisë së basketbollit kombëtar, – vijon më tej reagimi i fierakeve. – Shpërbërjen e skuadrës do ta vuajë qyteti i Fierit për shumë vite, edhe pse së shpejti do t’i dhurohet një sallë e re që për fat të keq nuk do të mund të përfaqësohet në aktivitetet kombëtare në sezonin e ri. Basketbollistet tani janë të lira për t’u aktivizuar në skuadrat e tjera.”
Vendimi i Bashkisë së Fierit sigurisht është i drejtë sipas tyre, mirëpo dhe pse një fund i padëshiruar, një komunikim zyrtar i duhej bërë ekipit (duke arsyetuar këtë vendim). Ndryshe, ato kanë mbetur të nënvlerësuara dhe të zhgënjyera, dhe pse kanë përfaqësuar prej vitesh këtë sport në mënyrë të suksesshme. Së fundi, vajzat e skuadrës e urojnë që kjo masë të jetë e mirëmenduar prej tyre dhe të ketë pasoja pozitive për të ardhmen e basketbollit të qytetit të Fierit”, – përfundon reagimin e trajnerit Astrit Greva dhe të basketbollisteve të skuadrës që drejtoheshin prej tij.
Në këtë reagim përfshihen basketbollistet e ekipit si Doriana Mehmeti, Jona Ustalli, Paradisa Mençaj, Ebi Dishnica, Dajana Baraj etj. Pas një ngjarje të tillë skandaloze, si pasojë e një vendimi absurd dhe të dëmshëm për sportin, duhet një ndërgjegjësim më i madh dhe nga vetë Federata Shqiptare e Basketbollit dhe strukturat e sportit në vend, pasi nisma të tilla bien ndesh me politikat zhvillimore të sportit, të ardhmen e sportit në Shqipëri dhe natyrisht i bëjnë dëm rinisë në raportin që ajo ka me sportin në tërësi.