AlbanianSport.com 09.09.2015 16:05
ASNN – Pavarsisht se ka dhënë maksimumin në dy ndeshjet e fundit, Kombëtarja kuqezi ka përpara një mision mjaft të vështirë në dy takimet e mbetura të Eliminatoreve të Evropianit 2016. Kështu mendon presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i cili thekson se rezultatet e dy ndeshjeve të fundit kanë shtyrë edhe bisedimet për rinovimin e kontratës me trajnerin De Biazi.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka pritur të mërkurën në një takim Ambasadorin e Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç, lidhur me ndeshjen e 8 tetorit midis dy skuadrave përfaqësuese. Pasi përcolli mikun, ishte radha e Dukës që të fliste. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, është i bindur se Kombëtarja kuqezi ka dhënë maksimumin në dy ndeshjet e saj të fundit, atë kundër Danimarkës dhe Portugalisë.
Ai pohon se na rrezikoi humbja me Portugalinë, por Presidenti thotë se nuk është i pakënaqur. Megjithatë, nuk e mohon se priste më shumë pikë. Megjithatë, kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar e pohon se për kuqezinjtë, objektivi në dy ndeshjet e mbetura është i vështirë. Duka hodhi poshtë zërat nga brenda federatës se është Shqipëria që i ka dhënë emër trajnerit De Biazi.
Madje Duka thekson se rezultatet e dy ndeshjeve të fundit kanë shtyrë edhe bisedimet për rinovimin e kontratës me trajnerin De Biazi. Tashmë, rinovimi i kontratës italianit me pasaportë shqiptare duhet të presë. Duka siguroi se rinovimi i trajnerit kuqezi nuk varet nga rezultatet e dy ndeshjeve të Evropianit, por thjesht shtyhet për të mos krijuar shpërqendrim.
Shqipëria aktualisht mban vendin e 3-të në grupin I, me 11 pikë, një më pak se Danimarka, që ka luajtur një ndeshje më tepër, dhe 4 më pak se Portugalia kryesuese. Klikoni videon e mëposhtme për të ndjekur të plotë deklaratat e Ambasadorit Serb, Miroljub Zariç, dhe bisedën me mediat të Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.