Gjergj Vyshka 09.09.2015 15:20
Elis Guri, i cili përfaqëson Bullgarinë në Kampionati Botëror të Mundjes për Të Rritur në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka zënë vendin e pestë në peshën 98 kg në mundjen klasike. Madje ka arritur dhe kualifikimin me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Guri e ka nisur mirë, ndërsa në turin e 32-shes e finaleve ka mundur 3-0 polakun Pavel Grzbiski. Më pas, në turin e 16-shes ka barazuar 4-4 me amerikanin Karol Rajën Uilliams dhe më pas është kualifikuar me short. Në raundin çerekfinal ka eliminuar lituanezin Vilius Laurainitis 8-3.
Por në gjysmëfinale është mundur nga iraniani Gasem Golamreza Rezaei 0-3 dhe në finalet për vendet 3-5 është mundur nga rusi Islam Magomevod, 6-2. Tashmë priten mundësit shqiptarë, Islam Islamaj në peshën 57 kg, Vilson Ndregjoni pesha 65 kg dhe Egzon Shala në peshën 97 kg, të cilët do të konkurrojnë më 11-12 shtator në mundjen e lirë.