ASNN – Kamzlinjtë po përgatiten për ndeshjen e parë të sezonit të ri të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ku do të presin në fushën e vet rivalët e Burrelit. Ndeshjet e para gjithmonë priten me interes, por e tillë pritet të jetë dhe këtë herë ndaj matjanëve. Një nga futbollistët e ardhur së fundmi te skuadra te skuadra e Kamzës, Altin Lloga, tregohet optmist se skuadra e tij do ta nisë mbarë kampionatin e ri futbollistik.
“Jemi përgatitur maksimalisht për ta kaluar me sukses ndeshjen e parë të kampionatit, – ka thënë shqiptaro-maqedonasi, i cili, gjatë karrierës së tij është aktivizuar me disa skuadra, jo vetëm në kampionatin fqinj të Maqedonisë, por dhe në atë të Kategorisë Superiore shqiptare. – Skuadra ka në gjirin e sajë futbollistë jo vetëm të përvojës, por dhe cilësor. Marrja e tre pikëve të para do të na shërbejë si impuls pozitiv për ndeshjet e radhës.”
Duke folur për AlbanianSport.com, 25-vjeçari Lloga ndihet optimist se skuadra e tij e re do të jetë befasia e këtij kampionati. Një gjë të tillë, strugani e bazon tek përgatitjet e bëra nga skuadra e tij. “Ndeshjet miqësore të zhvilluara me skuadrat të niveleve të ndryshme, na kanë shërbyer për të harmonizuar repartet e lojës. Me bindje ju them se skuadra është e gatshme për të nisur betejën dhe nuk e teproj aspak, që skuadra jonë do të jetë befasia e kampionatit”, – përfundoi Lloga, i cili e ka të parin sezon që do të mbroj ngjyrat e skuadrës së Kamzës.