Gjergj Vyshka 08.09.2015 19:05
Për skuadrën e Joakim Lëvit tashmë mjafton vetëm një pikë në tetor ndaj Irlandës që të vijë kualifikimi direkt për në Francë 2016. Gjermanët aktualisht kanë 19 pikë, ndërsa dje kanë shënuar Myler dhe Gyndogan. Këta dy të fundit i kanë dhënë një fitore të rëndësishme Gjermanisë në Gllasgou, teksa skuadra e Joakim Lëvit ka fituar 3-2 dhe tashmë është shumë pranë kualifikimit për në fazën finale të Kampionatit Evropian “Francë 2016”.
Mjafton një pikë ndaj Irlandës në tetor që Gjermania t’i vërë vulën kualifikimit për në Francë. Ajo që duhet theksuar është fakti se Gjermania tre ditë më parë kishte fituar me Poloninë, 3-1, dhe në përgjithësi skuadra ka qenë dhe e lodhur. Dhe për ta freskuar ekipin, Lëv ka luajtur me Gyndoganin dhe Gëtcen, që i kanë dhënë ritëm tjetër lojës gjermane. Dhe shpejt ka ardhur goli i gjermanëve, që ka pasur firmën e lojtarit të Bajernit të Mynihut, Tomas Myler, i cili ka shënuar në minutën e 18-të.
Ka qenë një goditje nga rreth 20 metra. Mirëpo nuk ka zgjatur shumë dhe gjermanët janë vetë ndëshkuar kur Humels, në një tentativë për të larguar topin e ardhur nga një goditje dënimi e Mulgrev, e ka dërguar topin pas shpinës së portierit Nojer. Sidoqoftë, Gjermania nuk e humbet toruan dhe në minutën e 34-të, Myleri ka shënuar përsëri. Veçse Skocia nuk është dorëzuar dhe MekArturi ka realizuar në të 43-tën minutë i ka çuar ekipet në dhomat e zhveshjes me barazimin 2-2.
Në pjesën e dytë Gyndogan ka shënuar, ndërsa Gjermania, që tashmë është në prag të kualifikimit, ka fituar pas 22 vjetësh në Skoci, pasi e kishte bërë për herë të fundit më 1993-shin. Ndërkaq, polakët shkelën Gjibraltarin krejtësisht modest, me rezultatin 8-1, dhe janë pranë finaleve të Evropianit, ndonëse e kanë shumë të vështirë që të kapërcejnë Gjermaninë në vendin e parë të grupit të tyre eliminator. Në të kundërt, duhet të ruhen nga Irlanda, e cila është vetëm dy pikë prapa, në vendin e tretë, pas suksesit me një gol të vetëm kundër Gjeorgjisë.
Skoci – Gjermani 2-3
Shënues: Humels 28’(a.g.), MekArtur 43’ /
Tomas Myler 18’, 34’, Gyndogan 54’
Skocia: Marshall, Hanlei, Hatën, Malgrejv, Martin, Maloni (Ania 60’), MekArtur, Morrison, Braun (Ritçi 81’), Forest (Martin 81’), Fletçer. Trajner: G. Strahan
Gjermania: Nojer, Boateng, Humels, Hektor, Kros, Ozil (Kramer 90’), Gëtce (Shyrle 86’), Gyndogan, Shvajnstanger, Xhan, Myler. Trajner: J. Lëv
Gjyqtarë: B. Kujpers, S. Van Rëkel, E. Zeinstra, P. Van Bëkelen, R. Liesveld (Holandë)
Kartonë të verdhë: Maloni, Morrison