AlbanianSport.com 08.09.2015 07:50
ASNN – Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos është shprehur shumë i lumtur me fitoren përballë Shqipërisë. Ai nuk ka fshehur respektin për Kombëtaren kuqezi, duke thënë se janë një skuadër shumë e mirë, por ka shtuar se loja zgjat 90 minuta.
“Skuadrat mund të fitojnë në minutën e parë ose të fundit të ndeshjes, – ka deklaruar portugezi pas ndeshjes së fituar në “Elbasan Arena”. – Loja zgjat 90 minuta, në këtë rast 93 minuta.”
“Gjëja më e rëndësishme është që të shënosh dhe të mos pësosh, gjë që ndodhi saktësisht përballë një Shqipërie shumë të mirë, që janë shumë të fortë kolektivisht me disa lojtarë shumë të mirë dhe të talentuar”, – është shprehur trajneri i Portugalisë.
Santos ka deklaruar se nuk është aspak i befasuar që Shqipëria pësoi humbjen e parë, një vit pasi kanë nisur Eliminatoret e EURO 2016, por në të njëjtën kohë shtoi se fitorja ishte e merituar.
“Shqipëria ka bërë një punë të jashtëzakonshme në këto Eliminatore, prandaj kjo ishte humbja e tyre e parë. Ne mund të kishim shënuar më shpejt, por mendoj se ishte fitore shumë e merituar”, – përfundoi ai.