Gjergj Vyshka 08.09.2015 07:05
Presidenti Biba: “Deri më tani kemi vetëm heshtje nga shteti dhe nga Ministria. Për mendimin tim mundja kërkon mbështetje dhe duhet mbështetur, ndërsa ne kërkojmë që të zhbllokohet ky fond”. Pa asnjë kacidhe në xhep, me grand të bllokuar sepse Ministria e Arsimit dhe e Sportit, së bashku me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, tenton të bëjë zgjedhje të reja në të kundërt të asaj që ka vendosur komuniteti më 30 maj, mundja shqiptare sot është nisur drejt Botërorit Amerikan.
Kampionati në fakt ka nisur, ndërsa tanët, të cilët përfaqësohen nga Islam Islamaj në peshën 57 kg, Vilson Ndregjoni në peshën 65 kg dhe Egzon Shala në peshën 97 kg, do të udhëtojnë sot drejt Las Vegasit. Të shoqëruar nga trajneri Fuat Brahi dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, e të veshur e sponsorizuar nga “Digitalb”-i, mundja shqiptare premton për medalje dhe për kualifikim për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Si e vetmja mundësi që shtetarët tanë të mund të binden se kjo Federatë duhet ta çojë deri në fund mandatin e saj më 2019-tën, ndërsa këta sportistë cilësor duhen mbështetur. Për presidentin Biba me përgatitjen që kanë bërë sportistët shpresohet jo vetëm në pjesëmarrjen me normë kualifikimi në Olimpiadë, por mbi të gjitha për marrjen e medaljeve. “Gjithçka është përzgjedhur në këtë kombëtare mbi bazën e punës stërvitore dhe të djersës së derdhur”, – ka thënë dje në konferencën për shtyp presidenti i FSHM-së, Martin Biba .
“Mos harroni që Islam Islamaj ka një vend të pestë në Lojërat e Para Evropiane në Baku, Shala është i 6-ti në botë e po kështu dhe Ndregjoni, – ka vijuar ai. – Më duhet të falënderoj “Digitalb”-in dhe Agron Jahon për mbështetjen. Por mbi të gjitha dhe anëtarin e kryesisë Shkëlzen Bejtajn, të cilët bënë të mundur vajtjen e ekipit në Amerikë. Ne jemi në kushtet e një grandi të bllokuar, ka një heshtje totale nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, ndonëse këta sportistë, por dhe mundja në tërësi ka nevojë për mbështetje.”
“Ne do të kemi kontakte me drejtues të Federatës Botërore të Mundjes, tashmë kemi të konfirmuar dhe një takim me presidentin Nenad Laloviç prej të cilit jemi duke kërkuar një mbështetje, sepse në mungesë të grandit vetëm kështu mund të funksionojmë. Mos harroni që sportistëve prej dy muajsh u është ndërprerë dhe trajtimi ushqimor. E megjithatë unë u kam kërkuar sportistëve paraqitje dinjitoze dhe pse jo medalje, sepse vetëm kështu të gjithë do të binden për mundjen si sport elitar”, – ka përfunduar Biba, duke folur në mjediset e Federatës Shqiptare të Mundjes.