AlbanianSport.com 07.09.2015 22:45
ASNN – Kombëtarja kuqezi ka pësuar sonte, në mënyrën më dramatike, humbjen e parë në këto Eliminatore të Evropianit “Francë 2016”, pasi ka pësuar një gol në sekondat e fundit të ndeshjes me Portugalinë, në takimin e vlefshëm për grupin I.
Kjo ndeshje, që u luajt në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, është vendosur nga goditja e saktë me kokë e Manuel Velosos në minutën e 92-të të takimet.
Pjesa e parë e takimit ka nisur më mirë për miqtë, për të cilët spikat Kristiano Ronaldo, i cili e detyron Etrit Berishën të reagojë mirë në dy raste, ndërsa Portugalia arrin të godasë edhe shtyllën e portës kuqezi, duke shkuar dëm mundësinë e kalimit në epërsi.
Portugezët vazhdojnë të krijojnë dhe të humbasin raste për shënim, ndërsa mbrojtja kuqezi vuan dhe, jo në pak raste, De Biazi është detyruar të ngrihet në këmbë dhe t’u bëjë thirrje lojtarëve të tij të ngjeshin radhët dhe të rritin përqendrimin.
Shqipëria do të kujtohet vetëm në fund për të goditur portën mike, por kaq është pak dhe kuqezinjtë janë me fat që pjesën e parë e mbyllin me rrjeta të paprekura. Pjesa e dytë nis po në të njëjtën mënyrë, me portugezët më mbizotërues.
Çikalleshi ka provuar të ngacmojë gardianin e portës iberike, Rui Patricio, por miqtë janë kundërpërgjigjur me Nani dhe, në raste, Danin. Shqipëria nis gradualisht ta hedhë vështrimin drejt portës kundërshtare, kjo edhe falë ndërrimeve të bëra.
Abrashi i lë vendin Bashës, pas 54 minutash, ndërsa çerekore më vonë, Roshi zëvendëson Gashin. Çikalleshi gjen edhe një tjetër herë shtyllën, ndërsa në krahun tjetër, Eliseu mund të kishte gjetur golin për miqtë.
Por goditja e tij, teksa ishte i vetëm përballë Berishës, ka kaluar mbi portierin kuqezi dhe jashtë, fare pranë shtyllës pingule të katërkëndëshit të Shqipërisë. Kuqezinjtë kanë një moment të mirë në minutat e fundit, por Lenjani dhe Xhaka gabojnë.
Duke dëshmuar se ka ende për të mësuar, Shqipëria ndëshkohet në fund, nga një goditje këndi, që ekzekutohet nga Rikardo Kuarezma, dhe që, midis një morie prej 4-5 kokash portugeze, gjen atë të Velosos, që e përcjell topin në rrjetë.
Kjo ishte një goditje “nokaut”-i, pasi nuk ka më kohë dhe, megjithëse me një Kristiano Ronaldo në hije, Portugalia ka marrë 3 pikët që e çojnë edhe më pranë biletës për në “Francë 2016”, ndërsa Shqipëria nis të bëjë edhe një herë llogaritë matematikore.