AlbanianSport.com 07.09.2015 12:05
ASNN – Shqipëria do të përballet sonte Portugalinë, në takimin e vlefshëm për grupin I të Eliminatoreve të Evropianit 2016 dhe trajneri kuqezi, Xhovani De Biazi, duket se ka zgjedhur t’i besojë të njëjtës 11-she me të cilën mori një pikë të vyer të premten në Danimarkë.
Kështu, në portë është Berisha, ndërsa në mbrojtje, në mungesë të Hysajt të dëmtuar që nuk e rikuperua në kohë, do të rreshtohen Gjimshiti, Cana, Ajeti dhe Agolli. Në mesfushë, Taulant Xhaka, Kukeli dhe Abrashi do të ndihmohen nga krahët nga Gashi dhe Lenjani, ndërsa i vetëm në sulm do të luajë Cikalleshi.
Për trajnerin e Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, Shqipëria duhet të guxojë për gjithçka të hënën, kur të zbresë në fushën e blertë të Stadiumin “Elbasan Arena”, për t’u ndeshur me Portugalinë. Madje për 59-vjeçarin italian me pasaportë shqiptare, sfida e së hënës ka një vlerë të trefishtë.
Trajneri i Portugalisë, Fernardo Santos, e ka vlerësuar lart punën e bërë nga homologu i tij italian i stolit të përfaqësueses shqiptare, Xhovani De Biazi. Në konferencën për shtyp, dhënë të dielën në kryeqytet, Santos e ka quajtur të jashtëzakonshme punën e bërë nga De Biazi.
Ndeshja Shqipëri-Portugali do të shënojë një tjetër standard përsa i përket organizimit dhe sigurisë. Kjo është garancia që ka dhënë Drejtori i Rendit dhe Sigurisë në Policinë e Shtetit, Altin Qato, i cili ka theksuar se për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje do të mobilizohet plot 1,000 forca policore.
akimi Shqipëri-Portugali do të luhet sonte në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 20:45, dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në një transmetim maratonë, të quajtur “Ëndërr kuqezi”, që nis në ora 20:00 dhe zgjat deri pas orës 23:00.