AlbanianSport.com 07.09.2015 10:25
ASNN – Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë nis në fundjavë dhe duket se trajneri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, i ka të qarta idetë lidhur me ekipin që do të përdorë gjatë sezonit të ri. Trajneri gjirokastrit, i rikthyer në qytetin e lindjes pas përvojës tek Butrinti fqinj, së bashku me ndihmësin e tij Kristaq Ciko, kanë provuar disa variante gjatë seancave stërvitore dhe ndeshjeve miqësore që kanë zhvilluar gjatë kësaj periudhe, duke arritur në dy formacionet kryesore që pritet të aplikohen nga trajneri sezonin e ri.
Në të dyja rastet shihet një ndryshim drastik në formacion në krahasim me atë të një sezoni më parë. Aq sa në 11-she janë vetëm tre lojtarë nga kampionati i kaluar. Luftëtari i ri do të jetë plotësisht ndryshe. Në variantin e parë, trajneri Hysi përdor skemën taktike 4-2-3-1. Miraka do të jetë portieri titullar që do të mbrojë portën e gjirokastritëve për sezonin e ri. Më pas rreshtohen në mbrojtje: Liçaj në të djathtë, Rrapaj e Beqiri në qendër dhe Mersini në të majtë. Përpara tyre do të jetë dyshja RamadaniShenaj.
Më pas, Çaço në të majtë, Rroca në qendër dhe Agastra në të djathtë do të jenë në shërbim të Mikel Cankës, i vetmi sulmues i deklaruar. Në variantin e dytë, trajneri Hysi aplikon skemën 3-4-1-2 me shumë pak ndryshime për sa u përket emrave të futbollistëve. Miraka në portë dhe më pas vijnë Rrapaj në të djathtë, Beqiri në qendër dhe Ramadani në të majtë. Katërshja e mesfushës përbëhet nga Liçaj, Aleksi, Shenaj dhe Mersini. Më i avancuar do të jetë Rroca në mbështetje të sulmuesve Agastra e Canka.
Në të dyja rastet bie në sy fakti që ka vetëm dy futbollistë gjirokastritë në formacion, Ergys Mersini dhe Fejzo Shenaj. Trajneri Hysi ka ndërtuar një skuadër krejtësisht ndryshe nga një vit më parë.