Gjergj Vyshka 06.09.2015 10:50
Ylli Tomori, trajneri i Studentit, i ka rënë menjëherë kokës Federatës Shqiptare të Volejbollit në diskutimin e tij teksa e ka quajtur një institucion jo funksional. “Ne sot nuk e dimë se sa skuadra do të kemi në kampionat, se kur do të nisë kampionati, se kur do të hidhet shorti, – ka thënë trajneri veteran. – Bllokimi i llogarive bankare, apo dhe borxhet e akumuluara, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e zhysin më keq volejbollin.”
“Dhe këtu faji është kolektiv, – ka vijuar Tomorri. – Nëse do të merremi me gjëra dytësore ne nuk zgjidhim asgjë, përkundrazi rëndohet situata. Votëbesimi nuk e zgjidh këtë situatë, duhen zgjedhje të reja, sepse jemi në një kolaps total. Të jepet llogari pse është kjo gjendje”. Për Doçin nuk ka më vendime me një anëtar një votë. “Janë 48 anëtar, ndërsa kjo kryesi është e vërtetë që nuk ju përfaqëson më”, – tha ai.
“Ndaj duhen zgjedhjet e reja”, – pohoi Doçi. Mirëpo debati ka shkuar dhe më tej kur trajneri i Studentit i ka kërkuar presidentit Doçi se me çfarë statuti do të bëhet kjo asamble zgjedhore, kur ende nuk është miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. “Ka një statut tip që duhet zbatuar dhe me atë do të veproni për të vendosur për zgjedhjet e juaja”, sqaroi përgjegjësi i sportit elitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Arjan Konomi.