Adriatik Balla 06.09.2015 09:20
Tanimë Danimarka duhet të japë gjithçka për të marrë maksimumin në Armeni, por edhe në sfidën e 8 tetorit me Portugalinë në fushën e kësaj të fundit për të siguruar finalet e Evropianit. Mirëpo ndryshe nga Shqipëria dhe Portugalia, danezët kanë një ndeshje më pak për të luajtur. “Të gjitha ndeshjet e fundit në Grup do të jenë emocionuese”, – ka thënë trajneri i përfaqësueses së Danimarkës, Morten Olsen.
“Për ne do të do të jetë e vështirë, por edhe Portugalia do të vuajë shumë ndaj Shqipërisë të hënën, – vijoi ai. – Unë shpresoja që do ta kishim zgjidhur çështjen e kualifikimit, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu.” Duke analizuar takimin me kuqezinjtë, trajneri i përfaqësueses daneze, pranoi se ishte befasuar nga formacioni i De Biazit në pjesën e parë.
Olsen tha se kishte bërë ndryshimet e duhura në pjesën e dytë, ndonëse nuk dhanë rezultatet që priste. Trajneri i Danimarkë vlerësoi veçanërisht paraqitjen e Jusuf Pulsen, por edhe të shqiptarit Riza Durmishi, që luajti titullar në krahun e majtë të mbrojtjes. Ndërkohë Niklas Bendtneri, nuk i humb shpresat për kualifikim.
Sulmuesi i Volfsburgut në Bundesligën gjermane beson se Danimarka mund të marrë maksimumin e pikëve në dy ndeshjet e mbetura me Armeninë dhe Portugalinë. Sipas gjigandit të sulmit danez, vetëm fati i mungoi formacionit të Morten Olsen për të fituar ndaj Shqipërisë.