AlbanianSport.com 06.09.2015 07:50
ASNN – Krahas emocioneve të Eliminatoreve të Evropianit të Futbollit, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar po sjell për sportdashësit ato të një tjetër evenimenti madhor sportiv, siç është Kampionati Evropian i Basketbollit për meshkuj.
Duhet theksuar se kjo veprimtari madhore e basketbollit kontinental po organizohet bashkarisht nga 4 vende evropiane dhe, më konkretisht, Franca, Gjermania, Kroacia dhe Letonia.
Të shtunën janë luajtur 12 ndeshjet e para në të 4 grupet e fazës finale të kësaj veprimtarie, duke përvijuar edhe pretendentet e para për kurorën kontinentale. Midis këtyre takimeve, ka spikatur dueli midis Spanjës dhe Serbisë.
Ai është fituar nga ballkanasit me rezultatin 80-70. Në takimet e tjera, fitore kanë arritur edhe Polonia, Gjermania, Holanda, Republika Çeke, Izraeli, Greqia, Letonia, Franca, Turqia, Kroacia dhe Lituania. Sot luhen ndeshjet e dyta në grupe.