Gjergj Vyshka 10.10.2014 13:55
Dinamovitët dje janë stërvitur, ndërsa Arifaj dhe Capa, për shkak të dëmtimeve të lehta, kanë munguar dhe janë përgatitur individualisht. Madje duket se nuk do të jenë as sot në miqësoren me Kamzën, të cilën blutë do ta luajnë në fushën e kësaj të fundit. Kjo ndeshje miqësore mes Kamzës vendëse dhe Dinamos do të jetë dhe një paraqitje e skuadrës së Fation Tafajt përpara publikut, sepse tifozët kamzalinj, pas humbjes me Tërbunin, presin të shohin një tjetër skuadër.
Megjithatë duke mbetur tek Dinamo, vonesa e rrogave mujore nuk është aspak e mirë. Sepse duhet të jenë të garantuar financiarisht në mënyrë që të bëjnë të mundur ngjitjen në Superiore pas tre vjetësh mungesë në elitën e futbollit shqiptar. Mehmeti është munduar dje për një karikim ndryshe të skuadrës në stërvitje. Por derisa lojtarët të ngrohin xhepat me ato që marrin çdo muaj motivimi do të jetë zero dhe Dinamo s’ka për ta pasur atë që kërkojnë tifozët.
Ndaj sa nuk është vonë drejtuesit duhet të japin paratë në mënyrë që nesër të kenë mundësi të kërkojnë llogari për paraqitjet zhgënjyese në fushë. Përfundimisht lojtarët e kanë marrë një premtin, që duhet mbajtur nga të gjithë. Ndryshe… “Koha do të vazhdojë të jetë e vrenjtur dhe me shumë reshje shiu e “bubullima” tek dinamovitët”