Adriatik Balla 05.09.2015 17:30
Trajneri Xhovani de Biazi zbriti dje nga minuta e parë një skuadër me cilësi mbrojtëse, por me aftësi të mëdha kundërsulmuese. Nga minuta e parë për Shqipërinë u aktivizuan në portë gardiani Etrit Berisha, kurse, në mbrojtje, para tij u rreshtuan Cana dhe Ajeti (në qendër) dhe Xhimshiti (në të djathtë) e Agolli (në të majtë). Në mesfushë u angazhuan pesë futbollistë, midis të cilëve në qendër të fushës Kukeli, Xhaka, Abrashi, kurse në krahë Lenjani dhe Gashi. Në sulm i vetëm e nisi Sokol Cikalleshi.
Padyshim ë ky ishte formacioni më i volitshëm i De Biazit, i diktuar në një farë mase edhe nga dëmtimet e lojtarëve dhe mungesa e disa të tjerëve, si Hysaj dhe Mavraj. Në lidhje me ndeshjen ndaj Portugalisë De Biazi pritet të bëjë ndonjë ndryshim në formacion, por kjo do të varet shumë nga rikuperimi ose jo i mbrojtësit Elseid Hysaj. Sidoqoftë, Xhimshiti tregoi mbrëmë se është një pikë e fortë dhe e sigurt në repartin mbrojtës.
Ndërsa Ajeti, edhe pse pati disa luhatje në pjesën e dytë, po konfirmohet si një mbrojtës i talentuar dhe i nevojshëm për Kombëtaren. Ndaj Portugalisë, De Biazi pritet të aplikojë të njëjtën skemë loje, pra 4-5-1, e cila në fazën kundërsulmuese merr trajtën 4-3-3. Eksperimenti me Shkëlzen Gashin si mesfushor i djathtë nuk dha frytet e duhura, por De Biazi duket e i dha përparësi faktit se Gashi, duke qenë me tipare sulmuese, mund të mbante ekipin përpara në këtë pozicion.