Adriatik Balla 05.09.2015 10:45
Trajneri Xhovani De Biazi tha pas takimit se Kombëtarja duhet të gëzohet për një pikë që mori, megjithëse qëllimet e tij në këtë ndeshje kishin qenë për më shumë lojë sulmuese dhe për fitore. Ai pranoi se në këtë ndeshje kundërsulmi nuk funksionoi dhe se marrja e një pike ishte e pranueshme dhe domethënëse për vazhdimësinë. “Luajtëm një ndeshje të mirë, sidomos në fazën mbrojtëse, – ka deklaruar italiani me pasaportë shqiptare, duke folur pas ndeshjes. – Lojtarët duhen përshëndetur, pasi u përballën me një skuadër shumë të përgatitur fizikisht dhe që e kërkoi shumë fitoren.”
“Ne ishim të pozicionuar mirë në pjesën e parë dhe kishim rastet tona, por nuk ia dolëm të finalizonim, kurse në pjesën e dytë kundërshtari mori epërsi dhe ne e patëm të vështirë të dilnim përpara, – ka vijuar ai. – Kundërsulmi në këtë ndeshje nuk funksionoi siç desha unë dhe në fund, patëm një rast të mirë shënimi me Roshin, por nuk e konkretizuam. Kështu që barazimi është rezultat i mirë. Ne vijojmë të paraqitemi mirë në këto Eliminatore.” De Biazi kujtoi e ndeshja me Portugalinë do të përgatitet me kujdes dhe kuqezinjtë do të luajnë për rezultat pozitiv.
I pyetur në lidhje me vlerësimin e lojtarëve të tij, De Biazi nuk preferoi të dallonte ndonjërin, por falënderoi lojtarët e tij për atë që dhanë në fushë, duke i përgëzuar të gjithë njëlloj. Për Xhimshitin si debutues pati fjalët më të mira. Nga ana tjetër, De Biazi nuk la jashtë vëmendjes as rinovimin e kontratës me Federatën Shqiptare të Futbollit. “Do të vijë dhe rinovimi, pasi ne kemi bërë një skuadër shumë të mirë, me lojtarë të rinj dhe me perspektivë, – ka thënë 59-vjeçari. – Për ne në këtë moment ka rëndësi të përgatisim ekipin për ndeshjen e radhës.”
“Në këto eliminatore jemi më pranë objektivit se asnjëherë tjetër”, – përfundoi De Biazi. Në lidhje me ecurinë e këtij takimi De Biazi pranoi e pati disa gabime, sidomos në pasimet e gabuara dhe mosfunksionimin e lojës kundërsulmuese. Megjithatë, italiani justifikoi lojtarët e tij duke thënë se kundërshtari kishte disa tregues fizikë superiorë, gjë që e vështirësoi së tepërmi lojën e tanëve. Në lidhje me ndeshjen ndaj Portugalisë De Biazi pritet të bëjë ndonjë ndryshim në formacion, por kjo do të varet shumë nga rikuperimi ose jo i mbrojtësit Elseid Hysaj.