Adriatik Balla 04.09.2015 14:35
Trajneri Xhovani De Biazi pritet të luajë sot me një skuadër me tipare mbrojtëse, por që ka një kundërsulm të frikshëm. Kjo pasi lojtarët e krahut janë shumë të shpejtë dhe mund të befasojnë në fazën kundërofensive, gjë që është tipike për ekipin tonë kuqezi. Trajneri nuk ka dhënë informacion të gjerë për formacionin, por nga përgatitjet e ditëve të fundit është konstatuar se në portë do të luajë Berisha i padiskutuar.
Në qendër të mbrojtjes do të luajnë Cana dhe Ajeti, kurse në krahët e tyre do të luajnë Agolli (në të majtë) dhe prurja e re De Biazit në këtë periudhë, Berat Xhimshiti (në të djathtë). Në mesfushë në rolin e shkatërruesve do të jenë Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi, kurse në dy krahët e mesfushës do të luajnë Ermir Lenjani dhe Shkëlzen Gashi.
Një hap pas sulmuesit do të jetë Burim Kukeli, i cili është përzgjedhur nga De Biazi të jetë pasuesi i fundit. Në sulm i vetëm do të jetë shtatlarti Sokol Cikalleshi. Edhe pse janë zgjedhur më të mirët e momentit, ky formacion është një farë eksperimenti i ri për trajnerin De Biazi. Ai tenton të shfrytëzojë lojtarët në formë, që kanë shpejtësi në kundërsulm, por edhe që dinë të mbrohen mirë.
Me pak fjalë De Biazi kërkon rezultat pozitiv në këtë ndeshje.