AlbanianSport.com 03.09.2015 18:20
ASNN – Adnan Januzaj është huazuar te skuadra gjermane e Borusias së Dortmundit, fanellën e së cilës do ta veshë deri më 30 qershor të vitit 2016. Lajmi është konfirmuar nga vet lojtari, i cili fillmisht ka postuar një foto me fanellën e Dortmundit, ku do të mbajë mbi shpinë numrin 9. Më pas, në faqen zyrtare të klubit është postuar edhe një video e prezantimit të futbollistit kosovar me pasaportë belge, së bashku me një intervistë të shkurtër të tij.
“Jam i lumtur që kam nënshkruar me Borusia e Dortmundit, – ka deklaruar ai për kanalin televiziv të klubit gjerman, duke shtuar: “Kjo është një skuadër e madhe dhe tifozët janë të jashtëzakonshëm. Dëshiroj të arrij suksese të mëdha me këtë skuadër.” Në fakt, huazimi i Januzajt tek Dortmundi ka ardhur si surprizë, pasi futbollisti me prejardhje kosovare, por që zgjodhi të luajë për Belgjikën dhe jo Shqipërinë, kishte këmbëngulur të qëndronte tek Mançester Junajtid.
Madje ai ishte aktivizuar si titullar në shumicën e takimeve të “Djajve të kuq” në këtë fillim sezoni, si në Premier Ligën Angleze, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve. Pritet që me Borusian e Dortmundit ai të ketë edhe më tepër hapësirë, ndërsa skuadra e tij e re e ka nisur mjaft mirë sezonin e ri të Bundesligës gjermane, me 3 fitore në po aq ndeshje, duke kryesuar renditjen me pikë të barabarta me rivalen dhe kampionen në fuqi, Bajernin e Mynihut.