Gjergj Vyshka 03.09.2015 17:35
Shqipëria do të marrë pjesë në këtë fundjavë në Kampionatin Ballkanik të moshave, i cili do të zhvillohet në Turqi, më 5 dhe 6 shtator 2015. Dhe do të konkurrohet në dy grupmosha, paratërinj dhe të rinj. Federata Shqiptare e Çiklizmit vijon kështu pjesëmarrjet e saj në arenën ndërkombëtare dhe po përgatit ekipin kombëtar që do të marrë pjesë në këtë turne.
Sipas presidentit të FSHÇ-së, Skënder Anxhaku, Shqipëria do të konkurrojë në këtë veprimtari në të dy kategoritë e grupmoshave dhe për këtë arsye janë përzgjedhur elementët më të mirë. Si zakonisht, Kampionati Ballkanik do të zhvillohet në dy disiplina: Gara e kronometrit dhe gara e rrugës. Përfaqësuesja e të rinjve përbëhet nga çiklistët Antonio Shqau (Elbasani), Marolindo Hoxha (Apolonia), Orest Hoxha (Tirana) dhe Erjon Toska (Teuta).
Konfirmohet gjithashtu se trajner i kombëtares së të rinjve në çiklizëm në këtë turne Ballkanik është përzgjedhur Dashamir Rama. Ndërsa pjesë e skuadrës së kadetëve janë “kampioni kombëtar” Ridvan Tafili i Teutës, nënkampioni Bruno Kola i Vllaznisë dhe çiklisti i Teutës Andi Tafili. Trajner i paratërinjve është Leonard Kola, ndërsa ekipi do të udhëhiqet nga Donaldo Mukaj.