Më 10 tetor përballë 36-vjeçarit nga Bulqiza do të jetë Antoni Kanike, në duelin që do të zhvillohet në Londër. Emri i Adriatik Camit, i cili konkurron në kik-boks, tashmë është duke u bërë gjithnjë e më shumë i njohur. Dhe kjo jo vetëm në Greqi, atje ku jeton së bashku me familjen e tij prej shume vitesh, por dhe në vendin tonë. “Kampion” disa herë në peshën 70 dhe 75 kg në shtetin fqinj, kërkon të bëjë hapin e madh në një trofe shumë të rëndësishëm siç është ai i titullit britanik që do të mbahet në datën 10 tetor të këtij viti në Londër.
Përballë tij do të jetë një emër shumë i njohur siç është Antoni Kanike, disa herë kampion në këtë peshë në Angli. Por 36-vjeçari nga Bulqiza, Adriatik Cami, ka një karrierë shumë interesante. Ndryshe nga shumë sportistë të ndryshëm që karrierën e tyre e kanë nisur në vendin tonë, bulqizaku Cami e ka nisur në shtetin fqinj, Greqi. Ka qenë viti 2001 starti i aktiviteteve kombëtare të Greqisë, i cili që në fillim të karrierës së tij ka spikatur jo vetëm për karakterin e tij sportiv, por dhe për rezultatet e larta, duke merituar disa herë medalje të ndryshme në rang kombëtar.
Por CV-ja e tij është pasuruar dhe më tej në fitimin e disa trofeve duke merituar vendin e parë në kampionatin kombëtar të Greqisë, njëkohësisht dhe medaljet e arit në këtë disiplinë. Për prezantimin e tij mjaft të mirë është bërë objekt i disa kronikave dhe emisioneve të TV-ve të njohura në Greqi, duke vlerësuar lart paraqitjen e tij si sportist i niveleve të larta kombëtare. Ai prej disa muajsh vazhdon përgatitjet për këtë veprimtari sportiv nën kujdesin e një emri të njohur të trainingut, siç është Angelos Stamitiadhis. Prej disa ditësh ndodhet në vendin tonë.
Pavarësisht spostimit të tij në vendin tonë, Cami nuk e ka ndërprerë për asnjë moment procesin stërvitor. Prej disa ditësh 36-vjeçari është stërvitur në një nga palestrat e qytetit bregdetar të Durrësit duke zbatuar me saktësi të gjithë programin stërvitor të dhënë nga trajneri i tij. Duke folur për gazetën “Sport Ekspres”, mes të tjerash ai do të shprehej se: “Prej kohësh po stërvitem me intensitet të lartë, pasi muajin e ardhshëm do të kem një përballje shumë interesante për titullin britanik. Ndonëse përballë kam një emër të njohur në këtë disiplinë, jam optimist se do ta kaloj me sukses këtë sfidë”.