AlbanianSport.com 29.08.2015 22:15
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të premten në mbrëmje ndeshjen e parë të javës së saj të dytë dhe Partizani ka triumfuar në kryeqytet ndaj Flamurtarin, duke marrë një fitore të vështirë në sekondat e fundit ndaj vlonjatëve. Kjo ndeshje, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 20:00, u vendos nga një 11-metërsh i akorduar në favor të kuqve në minutën e 4-t shtesë, që u shndërrua në gol nga Xhevahir Sukaj.
Vlonjatët patën kaluar të parët në epërsi në 10-minutëshin e parë të pjesës së dytë, por Partizani kishte barazuar 20 minuta më vonë dhe mori 3 pikët me goditjen e saktë të shkodranit nga pika e bardhë. Tri takimet të tjera të javës së dytë luhen të shtunën dhe, duke nisur nga ora 17:00 është luajtur në Krujë përballja midis Laçit dhe Tiranës, ku të dyja skuadrat kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë secila. Kurbinasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 30-të të takimit me anë të Xhejmsit dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për vendasit.
Në të dytën, bardheblutë e Shkëlqim Muçës u treguan më këmbëngulës për të gjetur golin e barazimit, por përpjekjet e tyre konkretizohen vetëm në minutën e 90-të të ndeshjes, me anë të një finalizimi të bukur të Karabecit. Minutat shtesë ishin të pamjaftueshme për të ndryshuar rezultati dhe takimi u mbyll në barazim 1-1. Ky ishte barazimi i dytë për skuadrën e Laçit, ndërkohë që Tiranë, falë fitores së arritur ndaj Tërbunit në javën e parë, ka grumbulluar 4 pikë, po aq sa Partizani që fitoi një ditë më parë 2-1 me Flamurtarin.
Ndërsa në takimet që kanë u luajtën duke nisur nga ora 20:00, Kukësi ishte mysafir në Korçë, ku u mund minimalisht nga Skënderbeu, kurse Teuta ka fituar 2-0 në Durrës përballë Vllaznisë. Skënderbeu e fillon kështu me fitore sezonin e ri të Kategorisë Superiore, ku ka mundur Kukësin në Korçë me rezultatin 1-0. Goli i Hristovit në minutën e 55-të të takimit ka vulosur fatin e sfidës së Korçës. Kukësi nuk arriti të bënte atë që duhej për të sfiduar denjësisht korçarët, që në këtë ndeshje ishin dominues. Java e parë mbyllet të dielën, me takimin e orës 17:00, midis dy skuadrave të sapongjitura në Kategorinë Superiore, Bylisit dhe Tërbunit.
Kategoria Superiore
Java e dytë
Të premten, 28 gusht 2015:
Partizani – Flamurtari 2-1
Shënues: Trashi 73’, Sukaj 90’+4(11-m.) / Trap 56’
Të shtunën, 29 gusht 2015:
Laçi – Tirana 1-1
Shënues: Xhejms 30’ / Karabeci 90’
Skënderbeu – Kukësi 1-0
Shënues: Hristov 55’
Teuta – Vllaznia 2-0
Shënues: Hoxha 26’, Magani 51’
Të dielën, 30 gusht 2015:
Bylis – Tërbuni i Pukës (17:00)