Gjergj Vyshka 29.08.2015 21:10
Federata Shqiptare e Mundjes tashmë ka nisur ankesat tek ndërkombëtarët, ndërsa për dhunimin e pavarësisë së saj akuzon jo vetëm Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), në mënyrë të veçantë presidentin e saj, Viron Bezhani, por dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. “Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar po merr kompetencat e Federatës Shqiptare të Mundjes dhe kjo nuk është hera e parë”, – thuhet në deklaratën e FSHM-së.
“Presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, që prej Lojrave Mesdhetare (qershor 2013), duke i paraprirë Lojrave të Para Evropiane 2015, ka ndërhyrë në mënyrë përsëritëse në listën zyrtare të pjesëmarrësve që Federata jonë ka dërguar, – vijon më tej organizmi që qeveris mundjen shqiptare. – Më specifikisht: Në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”, dy mundësat Meraldo Ndoka dhe Ergys Mirukaj nuk u licencuan si pjesë e Federatës Shqiptare të Mundjes.”
“Dhe si rrjedhojë ata nuk mund të merrnin pjesë në asnjë veprimtari kombëtare e ndërkombëtare, – thekson deklarata më tej. – Por me lejen e KOKSH kanë garuar në Mersin. Në Lojërat e Para Olimpike Evropiane 2015 mundësi Osman Hajdari mori pjesë nën “mburojën” e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa ky institucion ka injoruar listën zyrtare të pjesëmarrësve nga Federata Shqiptare e Mundjes.”
“Tani, në Lojërat Mesdhetare të Plazhit, Bezhani ka dërguar pa ndonjë aprovim nga Federata Shqiptare e Mundjes dy mundësat tanë Osman Hajdari dhe Klodian Bulica. Ne do të dëshironim t’ju informonim ju se, pas zgjedhjeve të 30 Majit 2015, me ndërhyrjen e KOKSH-it, specifikisht me ndërhyrjen e Presidentit te KOKSH-it, Viron Bezhani, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndërprerë përkohësisht fondin vjetor të Federatës Shqiptare të Mundjes duke sjellë një situatë të vështirë në Federatën tonë”, përfundon deklarata e Federatës Shqiptare të Mundjes.