AlbanianSport.com 28.08.2015 13:35
ASNN – Portugezët e Sportingut të Lisbonës, turqit e Beshiktashit dhe rusët e Lokomotivës së Moskës do të jenë kundërshtaret e Skënderbeut në fazën e ndeshjeve në grupe të Ligës së Evropës, ku korçarët do të jenë në grupin H. Ndeshjet e fazës së grupeve nisin më 17 shtator dhe mbarojnë me 10 dhjetor 2015.
Kampionia e Shqipërisë, Skënderbeu, ka njohur të premten kundërshtaret e saj të për fazën e grupeve të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës dhe shorti ia rezervuar një sfidë me shtrirje të gjerë gjeografike. Korçarët, të cilët u eliminuan në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve, do të jenë në grupin H.
Aty, ata do të sfidojnë portugezët e Sportingut të Lisbonës, turqit e Beshiktashit dhe rusët e Lokomotivës së Moskës. Duhet theksuar se dy prej kundërshtareve të Skënderbeut, Sportingu i Lisbonës dhe Beshiktashi, janë renditur të tretat në kampionet e tyre sezonin e shkuar.
Ndërsa skuadra e tretë, Lokomotiva e Moskës, e mbylli sezoni e shkuar në vendin e 7-të të renditjes së kampionatit rus. 48 skuadrat e kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Evropës janë ndarë në 12 grupe, me nga 4 skuadra secila dhe shorti ka dhuruar disa kombinime interesante.
I tillë është, për shembull, grupi A, ku ndeshen Ajaksi, Sëlltiku dhe Fenerbahçe, apo grupi J, ku sfidojnë njëra-tjetrën Totenhemi, Anderlehti dhe Monako. Datat e ndeshjeve në grupe të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës, janë 17 shtator, 1 tetor, 22 tetor, 5 nëntor 26 nëntor dhe 10 dhjetor 2015.