AlbanianSport.com 27.08.2015 23:55
ASNN – Ceremonia e hedhjes së shortit për fazën në grupe të Ligës së Kampioneve është ndërthurur me dorëzimin etrofeve për lojtarin më të mirë dhe golin më të bukur të sezonit të shkuar, ku siç ndodh rëndom vitet e fundit në garë ishin ata të dy Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo.
Në fund, asi argjentinas doli edhe njëherë tjetër fitues ndaj yllit të Realit të Madridit. Ai u nderua me çmimin “Lojtari më i Mirë në Evropë i UEFA-s”, falë një sezoni ku Mesi ishte “lideri” i padiskutueshëm i Barcelonës që fitoi të tre trofetë në lojë, Ligën e Kampioneve, kampionatin spanjoll dhe Kupën e Mbretit.
Bashkë me Ronaldon dhe Messin në garë për këtë trofe ishte dhe uruguajani Luis Suarez. Në fund, nga 54 gazetarë evropianë që ishin përzgjedhur për të përcaktuar, 49 vota shkuan për argjentinasin e mbiquajtur “Pleshti”, 3 për Luis Suarezin dhe vetëm dy për Kristiano Ronaldon.
Vetë Mesi ia dedikoi çmimin e tij forcës së grupit duke ritheksuar edhe një herë konceptin se rëndësi për të kanë sukseset e skuadrës. Ky ishte çmimi i dytë “Lojtari më i mirë në Evropë” për Lionel Mesin që e kishte fituar më parë edhe në edicionin e tij të parë në sezonin 2011-2012.
Për Mesin, ky është një ogur i mirë dhe në këndvështrimin e “Topit të Artë” që jepet në janar. Ylli argjentinas fitoi edhe një tjetër çmim, atë të golit më të mirë të sezonit në Evropë, pasi finalizimi i tij në ndeshjen e parë në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, kundër Bajernit të Mynihut në “Kamp Nou”, u zgjodh si goli më i bukur me 39 % të votave.
Ai ka mposhtur kështu golin që shënoi rivali i tij portugez, Ronaldo me Realin e Madridit kundër Liverpulit në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Për sa i përket futbollit të femrave, çmimi i lojtares më të mirë në Evropë shkoi për futbollisten e përfaqësueses gjermane, Selia Shashiç.