Adriatik Balla 27.08.2015 10:55
Eliminimi nga Ligën e Kampioneve nuk e ndalon hovin e Skënderbeut në kontinent, pasi skuadra korçare do të luajë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, shorti i së cilës do të hidhet ditën e premte në Nion të Zvicrës. Pjesëmarrja në Ligën e Evropës nuk i ka fitimet financiare si në Ligën e Kampioneve, por për një skuadër shqiptare ky është një eveniment i madh e historik, pasi Skënderbeu është ekipi i parë shqiptar që shkon në fazën e grupeve të kësaj veprimtarie.
Fitimet financiare të Skënderbeut pasi ka kaluar tre ture eliminatore të Ligës së Kampioneve dhe ka siguruar fazën e grupeve të Ligës së Evropës janë të mëdha. Bëhet fjalë për një fitim në total prej 6.5 milionë euro. Skënderbeu do të jetë klubi më i pasur i futbollit shqiptar pas kalimit të tre tureve në Ligën e Kampioneve, luajtjes në “play-off” të këtij aktiviteti e tashmë pjesëmarrjes në grupet e Ligës së Evropës (17 shtator – 10 dhjetor).
Në fakt, eliminimi nga Dinamo e Zagrebit ka bërë që Skënderbeu të humbasë 14.1 milion euro, por së paku ka përfituar 6.1 milion euro, ndërsa kështu është klubi më i pasur në vend, ndërkohë që gjatë një sezoni arrin të harxhojë 1 milion euro. Kalimi nga turi i dytë në të tretin e Ligës së Kampioneve i ka kushtuar 300 mijë euro. Mandej nga i treti në “play-off” të Ligës së Kampioneve 400 mijë euro. Por pavarësisht eliminimit nga “play-off”, Skënderbeu i ka në arkën e vet 5.4 milionë euro.
Sepse janë gati 3 milionë euro për pjesëmarrjen në këtë fazë. Në total përfitimet janë 6.1 milion euro. Ndërkohë, të premten do të hidhet shorti i grupeve të Ligës së Evropës, ku do të marrë pjesë dhe Skënderbeu në vazhdim. Pikërisht të premten korçarët do të njohin rivalët e tyre në grup. Objektivat janë të mëdha, por sido që të shkojnë gjërat, Skënderbeu e ka arritur objektivin madhor për pjesëmarrje në fazën e grupeve të një aktiviteti të rëndësishëm dhe pozicionimi ka pak rëndësi.
Kampionët tanë thyen një tabu, regjistruan një sukses historik dhe kjo është padyshim një arritje e madhe për futbollin shqiptar, që po mat forcat e tij në nivel evropian. Përfitimet kanë qenë të majme edhe sa u takon biletave, pasi për herë të parë në kaq vite Skënderbeut arriti të mbushë plot stadiumin, madje biletat u shitën si të luante ekipi kombëtar. Për futbollin tonë edhe në këtë drejtim ishte një surprizë e bukur dhe një arritje më vete, që do të thotë se sportdashësit e duan suksesin dhe e ndjekin ekipin.