Adriatik Balla 26.08.2015 20:25
Pas largimit të mesfushorit Elis Bakaj nga Hapoeli i Ra’ananas në Izrael, bardheblutë janë të favorizuar në garën për të siguruar shërbimet e mesfushorit. Për më tepër Bakaj është mes të preferuarve të tifozëve, me këta të fundit që po ushtrojnë presion te drejtuesit e klubit për një sforco ekonomike.
Për momentin bardheblutë i kanë cilësuar zërat spekulime të merkatos, duke saktësuar se nuk po zhvillohen negociata me futbollistin. Megjithatë, burime pranë klubit flasin për një telefonatë mes palëve. Biseda e shkurtër duket se ka shërbyer si bazë për arritjen e një akordi.
Palët janë bindur për një tjetër bashkëpunim, drejt objektivit për ta rikthyer Tiranën te titulli. Falë marrëdhënies së shkëlqyer që ekziston mes lojtarit dhe presidentit Refik Halili, mjafton pak për të gjetur akordin dhe hedhur firmën në kontratë. Për Bakajn do të ishte një rikthim vetëm pak javë pas largimit drejt aventurës në Izrael, ndërsa lojtari do të nisë menjëherë punën nën urdhrat e trajnerit Shkëlqim Muça.