Marrë nga “Koha Ditore” 26.08.2015 13:45
Kanë kaluar 5 muaj që nga koha kur Komisioni prej dhjetë anëtarësh i përbërë nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të Komunës së Prishtinës ka përcaktuar vendndodhjen themeleve të Stadiumit Kombëtar. Por ende nuk ka nisur faza e parë, ajo e studimit të fizibilitetit. Madje është thënë nga Departamenti i Sportit i MKRS-së se për studimin e fizibilitetit dhe projektin janë lënë mënjanë rreth një milionë euro nga buxheti.
Po ashtu është thënë se themelet e stadiumit do të vihen sivjet, e më pas me mjetet e buxhetit dhe të donatorëve ai do të përfundohej në një afat katërvjeçar. MKRS-ja pret që sa më shpejt Qeveria e Kosovës ta shpallë zonë me interes shtetëror parcelën prej 14 hektarësh në Bërnicë të Prishtinës, ku është caktuar të ngrihet ky gjigand i përfaqësueses së Kosovës në futboll. Nga ana e tij, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka thënë se lënda është dërguar në Qeveri për të bërë shpronësimin, meqë një pjesë e tokës i takon Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Por ai ngul këmbë se studimi i fizibilitetit dhe projekti do të kryhen brenda këtij viti. “Një pjesë e procedurës që lidhet me Komunën është kryer, – thotë zyrtari që mbulon ndër të tjera, edhe sportin në qeverinë e Kosovës. – Ne e kemi dërguar lëndën në Qeveri, meqë lokacioni është identifikuar dhe është përcaktuar nga përfaqësuesit e MKRS-së, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.” Megjithatë, deri më tani, Stadiumi është vetëm në letër.