AlbanianSport.com 26.08.2015 12:55
ASNN – Pas humbjes së ndeshjes në Zagreb, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa tha se Dinamo është një skuadër me kualitete dhe se e meritoi që të kualifikohej në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. “Dinamo është një skuadër me kualitete, ata e merituan që të shkojnë më tutje dhe mendoj se mund të arrijnë më tepër suksese”, – ka deklaruar ai.
“Ne dëshiruam që të shkojmë në fazën e grupeve, por nuk ia dolëm dhe për këtë më vjen keq, – ka vijuar kryeqytetasi i stolit korçar. – Po shpresoja që të ishim më të rrezikshëm, më konkurrues dhe t’i kërcënojmë më shumë kundërshtarin, por ne nuk arritëm ta bëjmë këtë gjë. Kishim rastet tona dhe nëse ju nuk i shfrytëzoni ato, atëherë kundërshtari do ta bëjë. Kjo ishte ajo që ndodhi.”
Ndërkohë, shumë i lumtur është shprehur trajneri i Dinamo Zagrebit, Zoran Mamiç. Ai ka përgëzuar skuadrën për paraqitjen, sidomos pas përjashtimit nga ndeshja të Gonsalo Santosit me karton të kuq. “Më duhet të përgëzoj skuadrën, ishte një ndeshje fantastike dhe një rezultat fantastik, – tha ai. – Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar. Kjo është një fitore e madhe për ne. Skuadra reagoi shumë mirë pasi pësuam golin, qëndruam të fokusuar.”
“Treguam forcën dhe kualitetin që kemi si skuadër, – vijoi më tej trajneri i Dinamo Zagrebit, Zoran Mamiç. – Kur mbetëm më dhjetë lojtarë në fushë, shumë gjëra më kaluan në mendje, por nuk isha shumë i shqetësuar. Qëndrova pozitiv, dhe ne luajtëm shumë mirë dhe merituam që të kualifikohemi në fazën e gupeve të Ligës së Kampioneve.”