AlbanianSport.com 25.08.2015 22:05
ASNN – Në mjediset e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) në kryeqytet, u organizua sot ceremonia e dorëzimit të flamurit për delegacionin shqiptare që niset nesër për të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare të Plazhit “Peskara 2015”, që zhvillohen nga data 28 gusht 2015, deri 6 shtator 2015, në Itali. Zëvendës-Ministri i Sporteve, Rauf Dimraj, i dorëzoi flamurin ekipit shqiptar, duke u uruar suksese sportistëve që përfaqësojnë 4 disiplinat sportive të sporteve të plazhit, e më konkretisht hendbollin, volejbollin, mundjen dhe futbollin.
Edicioni i parë i Lojërave Mesdhetare të Plazhit është një veprimtari që i përkushtohet ekskluzivisht sporteve të plazhit e ku do të marrë pjesë edhe Shqipëria. Sot pasdite është bërë ceremonia e prezantimit të ekipit tonë olimpik në këtë turne dhe më pas ceremonia e dorëzimit të flamurit kuqezi. Këto Lojëra do të zgjasin për 10 ditë (28 gusht-6 shtator) dhe Shqipëria do të përfaqësohet me 4 disiplina sportive të sipërpërmendura. Pikërisht një sportist i mundjes në plazh, Osman Hajdari, ka marrë sot flamurin nga Zv/Ministri Dimraj.
Në sportin e volejbollit të plazhit, Shqipëria do të përfaqësohet me lojtaret Ergysa Blloku e Adelajda Abazi (Prenga) për vajza dhe Amarildo Deliu e Rejdo Koçi për djem. Në mundjen e plazhit do të jenë “flamurtari” Osman Hajdari e Klodian Bulica, ndërsa do të jenë edhe dy ekipe, ato të hendbollit e futbollit në plazh. Kombëtarja e hendbollit në plazh ndodhet në Grupin A, së bashku me Italinë, Qipron, Libinë dhe Algjerinë. Ndërsa ekipi shqiptar i futbollit në plazh ndodhet në Grupin C, së bashku me Francës, Greqinë e Libinë. Delegacioni kuqezi do të niset nesër pasdite drejt Italisë, ndërsa të premten do të zhvillohet ceremonia e hapjes.