AlbanianSport.com 25.08.2015 19:50
ASNN – Hamdi Salihi duket e ka mbyllur “aventurën’ me korçarët, pa u luajtur sfida e kthimit me Dinamon e Zagrebit në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve. Ëndrrat dhe dëshirat e drejtuesve të Skënderbeut, por edhe të tifozëve korçarë, për ta patur sulmuesin e Kombëtares kuqezi edhe gjatë kampionatit në radhët e tyre, kanë përfunduar këtu.
Sulmuesi shkodran nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt kryeqytetit kroat, pasi nuk ka mundur të riaftësohet në kohë, por më i rëndësishëm është lajmi, se 31-vjeçari nuk do të jetë pjesë e kampionëve të Shqipërisë për sezonin e ardhshëm. Ka qenë vetë trajneri Mirel Josa, që para nisjes drejt Zagrebit ka konfirmuar për mediat sportive largimin e Salihit, pas një bisede që ka patur me sulmuesin.
“Sipas të gjitha gjasave, Hamdi Salihi nuk do të jetë më pjesë e Skënderbeut, – ka deklaruar trajneri kryeqytetas i korçarëve. – Ai nuk ka mundur të riaftësohet në kohë për ndeshjen me Dinamon e Zagrebit dhe për rrjedhojë nuk është grumbulluar. Por mund të them, se është larguar përfundimisht nga skuadra, pasi ka marrë një ofertë joshëse nga Izraeli.”
Hamdi Salihi ishte pika e referimit e Skënderbeut në ndeshjet e kësaj vere në Ligën e Kampioneve. Në “aventurën” e tij korçare, sulmuesi kuqezi ka arritur të shënojë 5 gola në veprimtarinë më të rëndësishëm të klubeve evropian, pa harruar edhe dygolëshin e realizuar në Superkupën e Shqipërisë ndaj Laçit, por që nuk mjaftoi për t’i siguruar trofenë “kampionëve” të Shqipërisë.