AlbanianSport.com 25.08.2015 19:05
ASNN – Skënderbeu do të kërkojë mrekullinë sonte në ndeshjen e kthimit me Dinamon e Zagrebit në Kroaci. Korçarët do të luajnë gjithçka për të përmbysur rezultatin e një jave më parë në “Elbasan Arena”, ku kroatët fituan 2-1 me një gol të shënuar në minutat e fundit. Misioni i kampionëve të Shqipërisë bëhet akoma më i vështirë pas largimit të Hamdi Salihit.
Për t’u kualifikuar për në grupet e Ligës së Kampionëve Skënderbeut i duhet një fitore me dy ose më shumë gola, ndërkohë që në rast eliminimi korçarët do të luajnë në grupet e Ligës së Evropës. Kapiteni i Skënderbeu Bledi Shkëmbi është një nga pikat e forta të skuadrës korçare dhe pritet të drejtojë grupin në fushë edhe në ndeshjen e kthimit me Dinamon e Zagrebit.
Futbollisti me eksperiencë dhe me cilësi të çmuara teknike, mund të marrë drejtimin e grupit në mesfushë dhe në fazën ofensive për të bërë më të mirën në këtë duel të dytë në Ligën e Kampioneve përballë kampionëve të Kroacisë. I qetë dhe pa presionin e rezultatit, kapiteni Bledi Shkëmbi kujton se Skënderbeu e ka përmbushur misionin e tij me kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
“Ne nuk kemi presionin e rezultatit dhe shpresën e kualifikimit që e kishim edhe në takimin e parë sepse e kemi përmbushur misionin tonë, – ka deklaruar ai, duke folur mbrëmë për mediat kroate në Zagreb. – Shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në këtë ndeshje të dytë, pse jo edhe të fitojmë. Do të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur.”
Misioni “Ligë e Kampioneve” duket i pamundur, por Skënderbeu nuk ka se çfarë të humbasë, e për këtë edhe trajneri Mirel Josa theksoi se ekipi do ta provojë. Në sfidën e kthimit që do të luhet në stadiumin e njohur “Maksimir”, në vijën e parë të sulmit, në vend të Hamdi Salihit pritet të aktivizohet Hristov, ndërsa në krahun e majtë, nëse përmbysjen e Dinamos Bernard Berisha nuk ia del të riaftësohet në kohë, do të luajë Leonit Abazi.