AlbanianSport.com 25.08.2015 18:20
ASNN – Xhudistja e përfaqësueses së Kosovës, Distria Krasniqi është eliminuar nga Kampionati Botëror për Të Rritur i këtij sporti, që po mbahet në Astana të Kazakistanit. Sportistja kosovare është mundur në turin e tretë të garave nga Andrea Çitu e Rumanisë në rrethin e tretë.
Në kohën e rregullt (pas 4 minutave), kjo sfidë përfundoi pa fitues, por në shtesë përvoja e rumunes e bëri të veten, edhe pse Distria bëri një paraqitje mjaft të mirë. Krasniqi, e cila garon në kategorinë e peshës trupore deri në 52 kg, i nisi mirë garat në këtë Botëror, pasi në betejën e parë, ajo shkëlqeu, duke e mposhtur finlandezen Katri Kako.
Megjithatë, xhudistja kosovare nuk ia doli të kalojë pengesën e dytë, rumunen Andrea Çitu. Ndërkohë, siç u mësua ditët e fundit, megjithëse ka udhëtuar drejt Kazakistanit, kampionia e Botës në xhudo, Majlinda Kelmendi nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, që po mbahet në Astana të Kazakistanit, për shkak rishfaqjes së dëmtimit të gjurit dhe të shpinës.
Më këtë Kampionat Botëror, për Kosovën do të marrë pjesë edhe Nora Gjakova në kategorinë e peshës trupore deri në 57 kilogramë.