Nga Ernest Gjoka 25.08.2015 13:45
Së pari, Josa duhet të punojë shumë psikologjikisht që ekipi të ketë besim që mund të arrijë ta gjejë suksesin. Duhet që ekipi të jetë agresiv në çdo moment që të mos lejojë kundërshtarin të organizohet, që do të thotë që duhet ushtrojë presing shumë lart në mbrojtjen e kundërshtarit.
Sigurisht kjo kërkon një energji të madhe nga ana e ekipit dhe, më kryesorja, duhet që, kur posedon topin duhet ta mbajë nën kontroll dhe të dalë sa më shpejt në sulm për ta vënë në vështirësi kundërshtarin. Sigurisht, në futboll duhet të besosh dhe të kesh guxim për të pamundurën, edhe pse kundërshtari është më superior me elementët që disponon.
Unë personalisht mendoj që i duhen dhe disa përforcime, në qendër të mbrojtjes, në mesfushë, si dhe një sulmues, për të bërë një paraqitje dinjitoze në Ligën e Evropës. Unë jam besimplotë që Skënderbeu do të na bëjë të ndihemi të rëndësishëm në futbollin evropian, unë besoj dhe shpresoj.