Nga Astrit Hafizi 25.08.2015 10:25
Përtej dëshirës së njërit apo tjetrit, qëndron realiteti dhe realiteti është ai që pamë ndeshjen e parë, ku Dinamo e Zagrebit shpalosi një bagazh të pasur për të siguruar fitoren, edhe pse në skajet e kohës shtesë.
Kjo bën që, përtej klishesë që “gjithçka është e mundur”, në ndeshjen e kthimit, synimi real i Skënderbeut do të ishte një barazim ose, më saktë, të shmangë një humbje të dytë.
Ky do të ishte realisht një sukses për korçarët, duke patur parasysh arsenalin e të dyja skuadrave në të gjitha drejtimet. Unë e kam thënë edhe më parë që Liga e Evropës ishte synimi real i Skënderbeut këtë sezon, pavarsisht se shorti i çeli një dritare, i dhuroi një shans për të tentuar edhe Ligën e Kampioneve.
Por duhet të mbetemi me këmbë në tokë dhe të pranojmë se, hëpërhë, Liga e Evropës është synimi real i futbollit shqiptar. Liga e Kampioneve është diçka krejt tjetër dhe ne nuk jemi ende gati për të.