AlbanianSport.com 25.08.2015 07:05
ASNN – Në prag të ndeshjes së kthimit të Skënderbeun me Dinamon e Zagrebit, AlbanianSport.com bisedoi me 3 ish-futbollistë dhe trajnerë të njohur shqiptarë, Astrit Hafizin, Ernest Gjokën dhe Ermal Tahirin, të cilët përcollën mendimin se çështja e kualifikimit për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve është një çështje që u mbyll që në përfundim të ndeshjes së parë dhe se Skënderbeu duhet të bëjë planet për një sezon të ngjeshur dhe të lodhshëm në veprimtarinë e dytë të klubeve të Evropës, Ligën e Evropës.
“Përtej klishesë që “gjithçka është e mundur”, në ndeshjen e kthimit, synimi real i Skënderbeut do të ishte një barazim ose, më saktë, të shmangë një humbje të dytë, – thotë ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi. – Ky do të ishte realisht një sukses për korçarët, duke patur parasysh arsenalin e të dyja skuadrave në të gjitha drejtimet. Duhet të mbetemi me këmbë në tokë dhe të pranojmë se, hëpërhë, Liga e Evropës është synimi real i futbollit shqiptar. Liga e Kampioneve është diçka krejt tjetër dhe ne nuk jemi ende gati për të.”
Ndërsa për Ernest Gjokën, Skënderbeu duhet të guxojë të martën, por duhet të bëjë edhe përforcime për sezonin. “Sigurisht, në futboll duhet të besosh dhe të kesh guxim për të pamundurën, edhe pse kundërshtari është më superior me elementët që disponon, – thotë ai. – Unë personalisht mendoj që i duhen dhe disa përforcime, në qendër të mbrojtjes, në mesfushë, si dhe një sulmues, për të bërë një paraqitje dinjitoze në Ligën e Evropës. Unë jam besimplotë që Skënderbeu do të na bëjë të ndihemi të rëndësishëm në futbollin evropian, unë besoj dhe shpresoj.”
“Ndeshja e kthimit për Skënderbeun është shumë e vështirë, sepse Dinamo e Zagrebit brenda në fushën e vet, “Maksimir”, është e pathyeshme, pasi ka shumë vite që nuk e njeh humbjen, – thotë ish-futbollisti i Kombëtares dhe Dinamos, Ermal Tahiri, tashmë drejtor i Shkollës së Futbollit “Loro Boriçi”. – Dinamo e Zagrebit ka lojtarë të nivelit evropian, ka lojtarë talente, me moshë mesatare të ulët, ka në sulm një treshe të frikshme, me qarkullim topi të shpejtë dhe me lojë të mirë nga krahët, që do t’i bëjë të vështirë Skënderbeut.”
Në orët në vijim, AlbanianSport.com do t’jua sjellë të plota opinionet e 3 ish-futbollistëve dhe trajnerë të njohur shqiptarë, Astrit Hafizin, Ernest Gjokën dhe Ermal Tahirin