Adriatik Balla 23.08.2015 12:05
Trajneri i Tiranës, Shkëlqim Muça, duket entuziast për nisjen e sezonit të ri të Kategorisë Superiore të Kampionatit të 77-të Kombëtar të Futbollit, duke thënë se ekipi i tij ka eksperiencë, ka emër të madh dhe forcë për të synuar fitoren në çdo ndeshje. Muça do të ketë testin e parë të këtij sezoni pikërisht në Pukë, ku sot do të përballet me
Tërbunin vendas. Në këtë ndeshje trajneri bardheblu synon fitoren, i bindur se Tirana e tij ka shanse të mëdha të mposhtë rivalët e saj dhe të fitojë kampionatin.
“Përgatitjet kanë shkuar mirë, fatmirësisht nuk kemi asnjë dëmtim, duke lënë mënjanë rastin e Muzakës që kuptohet duhet të vijojë fazën riaftësuese për të qenë gati për lojë, – ka deklaruar ai, duke folur para ndeshjes me pukjanët. – Luajmë ndaj një debutuesi në superiore, por kemi edhe një tjetër ndeshje jashtë fushe pas kësaj përballjeje. Sidoqoftë, objektivat tanë nuk ndryshojnë, shkojmë për fitore në çdo fushë.” Muça vlerësoi pozitivisht edhe faktin se do të luhet në një fushë të re, në Pukë.
Ai komentoi edhe rivalët në Superiore, duke thënë se fundit nuk i dihet. “Ka shumë pretendentë, Skënderbeu është një prej tyre, por gara është e gjatë dhe në fund nuk dihet kush do të fitojë. Tirana ka ambiciet e saj dhe ne shpresojmë të fitojmë titullin”, – ka përfunduar trajneri i Tiranës, Shkëlqim Muça.