AlbanianSport.com 22.08.2015 20:05
ASNN – Meglid Mihani i dha fitoren 0-1 Teutës përballë Flamutarit, skuadër kjo e cila falë blerjeve të bujshme shihet si favoritja e këtij sezoni.
Një nisje e mbarë kjo edhe për Gugash Maganin, i cili e nis me 3 pikë rikthimin e tij si trajneri i Teutës.
Durrsakët me emra të rinj u shfaqën më të rrezikshëm se kundërshtari, i cili pavarësisht shpenzimeve të mëdha gjatë merkatos së verës nuk arriti të tregonte forcën që pritej.
Në fakt, u deshën ndërhyrjet e portierit Halilaj që Flamurtari të shpëtonte disa herë nga goli.
Përpjekjet e portierit vlonjat u thyen në minutën e 63-të, kur Mihani shënoi nga jashtë zone.
Flamurtari “vendas”, që po luante në Fier për shkak të punimeve me tapetin në stadiumin e vet, u zgjua vonë, por tentivat e lojtërave të saj nuk ndryshuan ashjë në rezultat.
Të dielën, java e parë e Kategorisë Superiore do të vijojë me dy sfidat Tërbuni-Tirana dhe Kukësi-Bylis.
Ndërkohë Vllaznia-Skënderbeu është shtyrë për më 9 shtator për shkak të impenjimeve të korçarëve në Ligën e Kampionëve.
Kategoria Superiore e çeli siparin me ndeshjen Partizani-Laçi, të premten, që u mbyll në barazim 1-1.