Adriatik Balla 22.08.2015 07:55
Lojtarët e Kombëtares vijojnë të jenë në qendër të merkatos edhe në këto ditë të fundit të transferimeve verore, duke pasur ende shpresë për lëvizjet e dëshiruara. Një nga lëvizjet më të bujshme ndër lojtarët e Kombëtares ishte kalimi këtë verë i mbrojtësit Elseid Hysaj nga Empoli tek Napoli, një lëvizje që bëri bujë edhe në mediat italiane.
Mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi pret me padurim fillimin e sezonit të ri të Serisë A, me një ekip të ri më ambicioz si Napoli. Mbrojtësi shqiptar ka disa javë që stërvitet me napolitanët e trajnerit Mauricio Sarri. Hysaj thotë se është në formë dhe pret të aktivizohet në sfidën e së dielës në fushën e Sasuolos.
“Jam i gatshëm të luaj dhe besoj se trajneri do të më japë mundësinë ta nis si titullar, – ka deklaruar futbollisti shkodran. – Jam në 100% të formës dhe këtë e kam treguar edhe në miqësoret e zhvilluara.” Elseid Hysaj u transferua gjatë merkatos së verës nga Empoli, ekip të cilin e ndihmoi të ngjitej në Serinë A dhe të siguronte mbijetesën sezonin e fundit.
Ai ishte mbrojtësi i djathtë me më shumë minuta në Serinë A sezonin e shkuar. 21-vjeçari firmosi një kontratë deri në 2020 me Napolin, që këtë sezon do të marrë pjesë në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës.