AlbanianSport.com 21.08.2015 22:05
ASNN – Partizani dhe Laçi kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë secila, pasi takimi që çeli sezonin e ri të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, u mbyll në barazim 1-1. Pjesa e parë e takimit që u zhvillua në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u mbyll me rrjeta të paprekura, pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave.
Pjesa e dytë ka nisur me të dy ekipet duke e synuar më tepër portën kundërshtare. Megjithatë, goli do të vijë nga një goditje e lirë dhe janë miqtë që përfitojnë nga ekzekutimi i shkëlqyer i Veliajt dhe dalja e pasigurt e portierit vendas, Hoxha, për të gjetur rrugën e rrjetës me anë atë të Çelës. Goli i shënuar 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë u ka dhënë zemër kurbinasve, por të kuqtë kryeqytetas do ta gjejnë shpejt golin që do të rikthejë barazpeshën në shifra.
Një goditje e lirë e ekzekutuar në minutën e 64-t nga Sukaj, ka arritur ta mposhtë portierin e ri të laçjanëve, Selmani, dhe ta fiksojë rezultatin në 1-1, rezultat ky që do të do të mbetet në fuqi deri në fund të takimit. Java e parë e Kategorisë Superiore vazhdon të shtunën, me ndeshjen Flamurtari-Teuta, që do të luhet duke nisur nga ora 17:00, në Fier, për shkak të punimeve që po zhvillohen në Stadiumin e Vlorës.
Dy ndeshjet e tjera të javës, Kukësi-Bylisi dhe Tërbuni i Pukës-Tirana, luhen të dielën, duke nisur nga ora 17:00. Takimi i fundit, ai midis Vllaznisë dhe Skënderbeut, është shtyrë për shkak të impenjimit të kampionëve shqiptarë në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve dhe do të luhet në shtator.