AlbanianSport.com 21.08.2015 19:35
ASNN – Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka zbritur në fushën e lojës, atje ku është takuar me futbollistët, të cilët i ka karikuar në prag të sfidës me Teutën, e cila është hapëse për vlonjatët në sezonin e ri në Kategorinë Superiore. “Së pari, unë nuk dua asgjë të madhe nga ju, por bëhuni profesionistë, – ka thënë ai. – Nëse keni profesionalizëm të tjerat, vijnë nga pas.”
“Për mua është si parim, që ju në radhë të parë duhet të kënaqni tifozët, sepse për ata luani, – ka vijuar kreu i klubit vlonjat. – Në këtë sezon për Flamurtarin çdo rezultat është i rëndësishëm. Por dua dhe lojën e bukur për të kënaqur tifozët. Ajo që duam ne është një Flamurtar elitar. Të marrë atë vend që i takon në kampionatin shqiptar, sepse është fanellë që peshon rëndë.”
Në ndeshjen në radhës, vlonjatët nuk do të luajnë në shtëpinë e tyre në Vlorë, sepse tapeti i fushës sapo është shtruar dhe do pak kohë të lidhet me tokën poshtë tij. Tashmë ka përfunduar plotësisht shtrimi i tapetit në stadiumin Flamurtari, por kjo kërkon kohën e nevojshme për të bërë lidhjen e barit me tokën, proces ky që kërkon të paktën
40 ditë.
Kështu, do të humbet jo vetëm ndeshja hapëse të sezonit ndaj Teutës, të cilën do ta luajë, të shtunën e 22 gushtit, në orën 17:00, në Stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Në javën e dytë të kampionatit, më 29 gusht 2015, Flamurtari do të jetë mysafir i Partizanit në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, ndërkohë përllogaritet që skuadra vlonjate të kthehet në shtëpi vetëm në fundin e shtatorit.