AlbanianSport.com 21.08.2015 17:05
ASNN – Rezultatet inkurajuese që përfaqësueset e moshave, sidomos ajo e Nën-16-vjeçarëve, arritën në debutimin e tyre historik në arenën ndërkombëtare të koshit, e më konkretisht në Eliminatoret e Kampionatit Evropian, duke se ka shërbyer që FIBA Evropë ta mbështesë Kosovën me një fond financiar.
Nëpërmjet një shkrese zyrtare sot, të pasqyruar në mediat e Prishtinës, divizioni kontinental i organizmit që qeveris basketbollin botëror, ka konfirmuar se do të mbështesë me 24,950 euro Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), kryesisht punën e saj me kategoritë e reja të moshave.
FIBA Evropë e ka vlerësuar si të suksesshëm aplikimin e FBK-së në atë që njihet si “Youth Development Fund” ose “Fondi për Zhvillimin e Brezit të Ri”. Në letrën e nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i FIBA Evropës, z. Kamil Novak ndër të tjera thuhet se ky fond i përkushtohet moshave të reja.
“Shpresojmë që projekti juaj “Zhvillimi i garave Nën-14 dhe Nën-12-vjeç” do të jetë një sukses i madh dhe do të kontribuojë në zhvillimin e mëtijshëm të basketbollit në vendin tuaj”, – shkruan ai. “Youth Development Fund” është një fond zhvillimor për brezin e ri, dhe të drejtë aplikimi kanë të gjitha vendet anëtare të FIBA Evropës në baza vjetore.
Projekti i FBK-së, që ka marrë mbështetjen e FIBA Evropës, në vetvete parashikon shtimin e numrit të ndeshjeve për grupmoshën Nën-14-vjeç, shtimin e numri të turneve për grupmoshën Nën-12 dhe zhvillimin e kampeve edukative dhe përzgjedhëse për grupmoshën Nën-14-vjeç.
FBK-a po planifikon gjithashtu ashtu që në kampet edukative të ftojë edhe instruktorë të FIBA Evropës për kategori të reja, për çka paraprakisht ka marrë dritën e gjelbër nga organizmi kontinental. Projekti do të zgjasë 9 muaj dhe do të nis të vihet në jetë në vitin 2015 për të përfunduar në qershor të 2016-s.