AlbanianSport.com 21.08.2015 12:05
ASNN – Sezoni i ri i Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit ngre sonte siparin me takimin e parë të javës së parë, atë që do të luhet në mbrëmje në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa në kryeqytet.
Kjo ndeshje, e cila do të luhet duke nisur nga ora 20:00, do të sillet për sportdashësit drejtpërsëdrejti nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili, si çdo sezon, do të vazhdojë të përcjellë për shikuesit emocionet e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Ekipet pjesëmarrëse në këtë sezon janë 10, e më konkretisht Skënderbeu, Partizani, Flamurtari, Bylisi, Teuta, Vllaznia, Laçi, Tirana, Tërbuni dhe Kukësi. Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se do të zhvillojë një ceremoni për hapjen e këtij sezoni.
Java e parë e Kategorisë Superiore vazhdon të shtunën, me ndeshjen Flamurtari-Teuta, që do të luhet duke nisur nga ora 17:00, në Fier, për shkak të punimeve që po zhvillohen në Stadiumin e Vlorës.
Dy ndeshjet e tjera të javës, Kukësi-Bylisi dhe Tërbuni i Pukës-Tirana, luhen të dielën, duke nisur nga ora 17:00. Takimi i fundit, ai midis Vllaznisë dhe Skënderbeut, është shtyrë për shkak të impenjimit të kampionëve shqiptarë në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve dhe do të luhet në shtator.