AlbanianSport.com 21.08.2015 07:55
ASNN – Ditët e fundit, nën kujdesin e Federatës së Notit të Kosovës, në pishinën “EURO PARK” në Zllakuqan të Klinës ka përfunduar Kampionati i Kosovës në Not, ku pjesëmarrës ishin 12 klube noti të Kosovës.
Ata ishin “STEP” nga Prishtina, “Termopan” nga Prishtina, “PRISHTINA” nga Prishtina, Nemo OP” nga Prishtina, “Zenit” nga Prishtina, “BESA” nga Baja e Malishevës, “ORLLANI” nga Orllani i Podujevës, “LLAPI” nga Podujeva, “MITROVICA” nga Mitrovica, “Vëllaznimi” nga Gjakova dhe “O2 Prizreni” nga Prizreni, me rreth 150 garues, në të dyja konkurrencat.
Pjesëmarrës në këtë garë ishin edhe disa notarë kosovarë, që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në klubet e ndryshme të Evropës, çka e pasuroi edhe më shumë konkurrencën në këtë garë.
Vlen të përmendet se në këtë kampionat u thyen edhe shumë rekorde të reja për grupmosha, thuajse 50% e rekordeve në grupmosha. Kjo tregon për një rritje të cilësisë në not dhe gjithashtu edhe se masiviteti po rritet.
Për dy ditë me radhë, notaret shfaqën paraqitje shumë të mirë, që bën të shpresohet në paraqitje edhe më të mirë dhe rezultate dhe vendosje të rekordeve të reja, si dhe rritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.