Adriatik Balla 21.08.2015 07:55
Kampionati kombëtar do të startojë zyrtarisht sot me ndeshjen Partizani-Laçi. Në prag të kësaj sfide ka folur trajneri i skuadrës kurbinase, Armando Cungu, i cili ka bërë të ditur objektivat e skuadrës së tij dhe gjendjen e grupit. Megjithëse skuadrat janë në fazën e formatimit dhe të marrjes së direktivave të nevojshme, për Cungun kjo përballje duhet vlerësuar maksimalisht, sepse nevojitet që Laçi ta nisë si duhet sezonin e ri dhe të ketë sukses.
Ai nuk e fsheh se ambicia e kurbinasve është për trofe, por ka besim në të njëjtën kohë se Laçi i sezonit të ri do të jetë një ekip me dinjitet që do të përballet fort dhe me sukses edhe ndaj rivalëve të tjerë për titullin. Cungu nuk ka dhënë detaje teknike mbi skuadrën, madje as nuk ka komentuar mënyrën e të luajturit apo formacionin, qoftë dhe për elementët që ka “formatuar” për sezonin e ri, por ka shpalosur objektivat e tij për fitore në këtë ndeshje, si dhe për një nisje të mbarë të sezonit sportiv.
Armando Cungu beson se Laçi i tij e ka forcën e duhura për ta befasuar Partizanin dhe është i ndjeshëm ndaj kërkesave të tifozerisë laçiane për sukses. “Na duhet ta hapim siç na takon kampionatin, – ka deklaruar ai. – Laçi ka dëshmuar se është një skuadër e fortë dhe ndaj të fortave gjithnjë është shfaqur si pretendente. Ndaj Partizanit do të jetë e vështirë, por skuadra është gati për t’u përballur me dinjitet. Dua që skuadra të vendosi shpirtin në fushë, ndërsa ne jemi në gjendje të bëjmë më të mirën.”
Duhet thënë në fund se trajneri i Laçit, edhe pse me një karrierë të shkurtër, ka mundur të bindë edhe më skeptikët se është në gjendje të ndërtojë skuadër shumë të fortë. Provat i dha me Kukësin tri edicione më parë, por nuk duhet harruar se edhe në sezonin e kaluar Cungu bëri një sezon mjaft të suksesshëm me laçin, duke fituar Kupën e Shqipërisë dhe duke u përballur me dinjitet në Europa League me Inter Baku, ndaj së cilës u eliminua vetëm për shkak të një goli të pësuar në Laç në barazimin 1-1.
Ekipi azer u kualifikua se barazoi 0-0 në fushën e tij. Në rrethana të tjera Laçi i Cungut ishte ekipi që i mundi thuajse të gjithë pretendentët e Superiores dhe për këtë ka meritë të posaçme trajneri shkodran i ekipit kurbinas.