AlbanianSport.com 20.08.2015 11:25
ASNN – Kombëtarja e femrave ka mposhtur në një miqësore përfaqësuesen e Turqisë me një rezultat minimal. Ndeshja është luajtur mbrëmjen e së mërkurës në Fier, në stadiumin “Loni Papuçiu”, ku Kombëtarja shqiptare, e drejtuar nga Altin Rraklli, fitoi 1-0, me gol të shënuar nga Klaudia Rrotani në minutën e 89-të. Një fitore e bukur, e arritur kundër një rivali më cilësor, sepse Turqia ndodhet 16 vende më lart në renditjen e FIFA-s sesa Shqipëria, e cila është e 78-ta në botë.
Pjesa e parë ishte e ngadaltë, ndikuar edhe nga temperaturat e larta (ndeshja filloi në orën 18.00), ndërkohë që Turqia ishte superiore, duke krijuar edhe disa raste për shënim, si dhe iu anulua një gol për faull ndaj portieres kuqezi, Gjyli. Ndërkaq, Shqipëria humbi një rast ideal në fundin e pjesës së parë, kur një nga lojtaret tona goditi mbi traversë, pak metra larg portës, në një pozicion shumë të mirë. Pushimi duket se ndikoi për mirë tek Kombëtarja kuqezi, sepse trajneri Rraklli bëri ndryshime në vendosje.
Edhe gjatë gjithë pjesës së dytë, ai bëri edhe shumë zëvendësime, që dhanë fryte. Niveli i Shqipërisë u rrit me kalimin e minutave, aq sa ishte skuadra kuqezi ajo që kontrolloi lojën dhe krijoi edhe raste të mira (por edhe Turqia humbi një rast të shkëlqyer), derisa erdhi goli i fitores, me një depërtim të bukur të Rrotanit, që me shumë qetësi përballë portieres turke shënoi. Të premten Shqipëria e Turqia do të ndeshen sërish në Fier, me të njëjtin orar.
Pas ndeshjes, trajneri Rrakllli u shpreh për faqen zyrtare të federatës shqiptare të futbollit: ”Kemi bërë një lojë të mirë duke arritur dhe rezultatin e dëshiruar. Dua të theksoj që kemi dominuar ndeshjen dhe kemi humbur disa raste shënimi.”