Adriatik Balla 19.08.2015 21:05
Kategoria Superiore e Kampionati Kombëtar të Futbollit do të nisë ditën e premte me ndeshjen Partizani-Laçi, e cila do të luhet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, kurse ndeshjet e tjera në kuadër të javës së parë të këtij sezoni, do të luhen të shtunën. E vetmja ndeshje e shtyrë është ajo midis Vllaznisë dhe Skënderbeut, për shkak të angazhimeve të skuadrës korçare në Ligën e Kampioneve, ku sonte ka sfidën e parë me Dinamon e Zagrebit. Ndeshja e parë e Skënderbeut do të luhet më 9 shtator dhe kjo datë është përcaktuar në mirëkuptim mes klubeve dhe FSHF-së që më parë.
Por kur kampionati pritet të nisë këtë fundjavë, një makth ka përfshirë Federatën Shqiptare të Futbollit dhe klubet, për shkak të mungesës së impianteve sportive. Pothuajse ¾ e stadiumeve në shkallë vendi nuk plotësojnë as kriteret minimale, madje asnjëri prej tyre nuk është i licencuar nga UEFA për ndeshje ndërkombëtare (përjashtim bën “Elbasan Arena”, por klubi i Elbasanit luan në Kategorinë e Parë dhe jo në Superiore). Vllaznia, një nga klubet e rëndësishëm në vend, ka impiantin “Loro Boriçi” në rikonstruksion dhe do të luajë sfidat e saj në shtëpi në një fushë tjetër.
Po ashtu, edhe stadiumi i Vlorës është në rikonstruksion dhe Flamurtari do të duhet t’i luajë ndeshjet e veta në Fier ose në ndonjë impiant tjetër. Tërbuni nuk ka stadium brenda kushteve minimale dhe rrezikon që t’i luajë ndeshjet e tij jashtë Pukës. E njëjta gjë vlen për Bylisin, pasi stadiumi i Ballshit nuk ka kushte sigurie e për pasojë duhet t’i luajë ndeshjet e tij në fushë tjetër. Në kryeqytet mbetet Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, por aty pritet të ketë “trafik”, sepse në kryeqytet operojnë Tirana, Partizani dhe Dinamo (kjo e fundit në Kategorinë e Parë).
Stadiumi “Selman Stërmasi” ndodhet në rikonstruksion dhe vështirë të jetë plotësisht gati në këtë nisje të kampionatit. Stadiumet e Laçit dhe të Kukësit kanë vështirësi të kushteve të sigurisë, por Federata i cilëson të rregullt për ndeshjet e tyre në shtëpi, megjithëse UEFA i ka në listën e zezë të impianteve që janë jashtë parametrave. E thënë ndryshe, gjysma e Superiores nuk kanë stadium ku të luajnë dhe me përjashtim të Skënderbeut dhe Teutës që kanë stadiumet e tyre në rregull, skuadrat e tjera do të duhet të lëvizin si në ekspedita sa andej-këtej për të luajtur ndeshjet.
Ky shqetësim ka qenë i vazhdueshëm në federatë dhe zyrtarët më të lartë kanë mbajtur kontakte me klubet për të gjetur “formulën” e duhur të funksionimit. Problem më vete paraqet siguria e impianteve dhe për pasojë mosmarrja e përgjegjësive nga ana e Policisë, e cila e ka të vështirë të menaxhojë ndeshje specifike në stadiumet të cilëve u mungojnë parametrat më minimalë të sigurisë fizike. Stadiume si ai i Pukës dhe Ballshit nuk janë për ndeshje të Superiores, prandaj dhe shqetësimi i zyrtarëve të FSHF-së dhe krerëve të klubeve është i madh.